Lidhje

Zyrtarët europianë: Pritet që Trump të tërhiqet nga marrëveshja me Iranin


Zyrtarët europianë thanë se pritet që Presidenti Donald Trump të tërhiqet nga marrëveshja ndërkombëtare e vitit 2015 për kufizimin e programit bërthamor të Iranit.

Presidenti Trump do të njoftojë nga Shtëpia e Bardhë nëse Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mos aplikojnë sanksione ekonomike kundër Teheranit, pjesë e marrëveshjes me Iranin, nga e cila ai ka deklaruar qysh në vitin 2016 se do të largohej.

Mundësia për sanksione ndaj sektorit të naftës dhe bankës qendrore të Iranit, krahas masave të tjera të sugjeruara nga Bashkimi Europian, fillimisht u la e hapër për t'i bërë presion Teheranit, që ai të hiqte dorë nga armët bërthamore.

Ditët e fundit, aleatët evropianë i kanë kërkuar me ngiulm presidentit Trump të mos largohet nga marrëveshja. Por diplomatët evropianë që janë takuar me zyrtarë të lartë amerikanë në Uashington thonë se ka pak mundësi që Presidenti Trump ta lerë marrëveshjen të paprekur.

Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se programi bërthamor ka synime paqësore dhe ra dakord për kufizimin e aktivitetit bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve që e kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane.

Sot, presidenti Trump për të dytën ditë radhazi sulmoi ish Sekretarin e Shtetit John Kerry, një nga arkitektët kryesorë të marrëveshjes mes Iranit dhe gjashtë fuqive ndërkombëtare - Kina, Rusia, Britania, Franca, Gjermania dhe SHBA.

Zoti Kerry është takuar me ministrin e jashtëm iranian Javad Zarif në përpjekje për ta shpëtuar marrëveshjen.

Presidenti Trump shkruante në Twitter se “John Kerry nuk mund ta pranojë dot faktin që e kishte shansin dhe e dogji atë. John! Larg duart nga bisedimet sepse po i bën dëm vendit tënd.”

Dje ai e akuzoi zotin Kerry se ka punuar në prapaskenë për ta ruajtur marrëveshjen dhe la të kuptohet se ky mund të jetë një akt i paligjshëm.

Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me marrëveshjen nëse zoti Trump vë në jetë kërcënimin e tij për t’u tërhequr.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka certifikuar 10 herë se Irani po e zbaton marrëveshjen. Komisioni Evropian tha të martën se "marrëveshja po funksionon dhe se angazhimi ynë për ta vazhduar atë mbetet."

Por Presidenti Trump ka thënë se marrëveshja ka mjaft të meta pasi nuk merr parasysh provat e Iranit me raketa balistike apo përparimet ushtarake të Iranit në Siri apo Jemen.

Irani ka kërcënuar të tërhiqet nga marrëveshja nëse këtë e bëjnë SHBA, por presidenti iranian Hassan Rouhani mbajti sot një qëndrim më të matur dhe tha se Irani do të vazhdojë "angazhimin me botën".

Rouhani tha se nëse SHBA nuk heq dorë nga sanksionet, "është e mundur që ne të përballemi me disa probleme për dy apo tre muaj, por do ta kalojmë këtë".

Sipas një skenari, Trump mund të vendosë sanksione mbi bankën qendrore të Iranit, por t’i lejojë kompanitë që bëjnë biznes me Iranin të vazhdojnë aktivitetet edhe për një periudhë gjashtëmujore, deri sa t’i përfundojnë ato gradualisht.

Kjo mund t'i lejojë autoritetet botërore dhe Iranin të negociojnë kufizime të mëtejshme mbi programin bërthamor të Iranit, mbi provat me raketa apo aktivitetet ushtarake të Iranit në Lindjen e Mesme, edhe pse Teherani nuk ka dhënë asnjë shenjë se është i gatshme të rifillojë bisedimet.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG