Lidhje

Dita e Evropës në Maqedoni


Bujar Osmani
Bujar Osmani

Sekretariati për Çështje Evropiane në Maqedoni, për 9 majin –Ditën e Evropës shtron një mëngjes për ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe diplomatë të tjerë perëndimorë, një organizim ky që ka kaluar në traditë që prej para disa viteve.

Zëvendës kryeministri i ngarkuar me çështjet evropiane, Bujar Osmani theksoi pritjet e qeverisë maqedonase nga takimi i Këshillit Evropian në qershor, për një datë për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

“Ju siguroj, se qeveria dhe administrata janë të gatshme të përballen me sfidat e procesit të negociatave”, tha zoti Osmani.

Sipas zyrtarit qeveritar në Shkup, ekzistojnë rreziqe serioze nëse Maqedonia nuk merr së shpejti datën për fillimin e negociatave.

“Humbja e shpresës për BE-në dhe NATO-n do të bënte që të rinjtë e Maqedonisë të largohen nga vendi, duke ulur fuqinë punëtore dhe mundësinë për zhvillim dhe rritje ekonomike”, tha Osmani. Spas tij, kjo gjë do të shtonte “euroskepticizmin” dhe ndjenjat anti-Nato. Do të thelloheshin ndarjet e popullatës në bazë të përkatësisë etnike, fetare dhe sociale dhe kjo do të shkaktonte dobësimin e institucioneve demokratike, sipas Osmanit.

“Nëse e kemi parasysh historinë tonë të përbashkët, gjeografinë e përbashkët dhe më e rëndësishmja, vlerat tona të përbashkëta dhe interesat e përbashkëta strategjike në aspektin politik dhe ekonomik, përfundimi është shumë i qartë: Ne tanimë, jemi pjesë e rëndësishme e Evropës! Por, njëkohësisht duhet ta pranojmë se për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian me të gjitha të drejtat dhe zotimet, duhet të vazhdojmë drejt shtegut të ngritjes dhe zotimeve ndaj vlerave demokratike. Dhe ne jemi zotuar të shkojmë drejt kësaj rruge!”, u shpreh Bujar Osmani.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar vuri në dukje arritjet pozitive që ka shënuar Maqedonia, ndërsa tha se vendet anëtare të BE-së do të marrin vendim varësisht nga vazhdimi i ritmit të kryerjes së “detyrave të shtëpisë” nga Maqedonia.

Ndërkaq, ambasadori i Bullgarisë, Ivan Petkov, vendi i të cilit aktualisht ka presidencën e rradhës, tha se shpreson që gjatë presidencës bullgare me BE-në Maqedonia të marrë datën për fillimin e bisedimeve.

Pas një jave në Sofje pritet të takohen kryeministrat e Maqedonisë dhe Greqisë, Zoran Zaev dhe Alex Tsipras, në prapaskenat e samitit për Ballkanin Perëdnimor. Kryeministri maqedonas shpreson se do të afrohen qëndrimet e të dy palëve lidhur me çështjen e emrit të Maqedonisë.

Problemi i emrit e ka bllokuar këtë vend ballkanik në rrugën e afrimit dhe të integrimit në strukturat euro-atlantike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG