Lidhje

Shkarkohet nga drejtimi i Krimeve të Rënda Hajdarmataj


Në Shqipëri, Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku shkarkoi sot nga drejtimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Basim Hajdarmatajn, i cili është njëkohësisht pjesë e grupit të prokurorëve që po hetojnë ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Sipas njoftimit zyrtar “ky ndryshim ka për qëllim përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive që ka Prokuroria për Krime të Rënda. Kemi besim se ky ndryshim në drejtim do të sjellë si rezultat ndjekje penale më të shpejtë dhe më të efektshme të çështjeve me përparësi të lartë. Ndjekja penale e krimit dhe korrupsionit mbetet prioriteti më i lartë për Kryeprokuroren Marku”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Zoti Hajdarmataj do të vazhdojë të jetë pjesë e Prokurorisë për Krimet e Rënda. Në një prononcim për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, Birn, Hajdarmataj u shpreh se nuk ishte i qartë për motivet e këtij vendimi. “Unë nuk di të them se me çfarë ka lidhje ky shkarkim por mund t’ju them se e vetmja dosje që unë jam përfshirë drejtë për së drejti, nga një sërë hetimesh që tashmë janë të hapura nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, është ajo e dosjes ish-ministrit të Brendshëm, Sajmiri Tahiri. Unë tani jam prokurori i thjeshtë dhe normalisht do të vazhdoj punën time me dosjet për të cilat jam i ngarkuar të hetoj, deri në momentin që mund të ketë ndonjë urdhër tjetër për transferimin apo komandimin tim në ndonjë institucion tjetër”.

Lëvizja e prokurorit Hajdarmataj nga pozicioni drejtues shkaktoi reagime të menjëhershme të opozitës e cila prej kohësh e akuzon Prokuroren e Përgjithshme Arta Marku se është në shërbim të kryeministrit Edi Rama. Sipas nënkryetarit demokrat Edi Paloka, gjithçka lidhet pikërisht me hetimin ndaj ish ministrit Tahiri, dhe sulmet që sipas tij shumica ndërmori ndaj grupit të prokurorëve që kërkuan arrestimin e ish ministrit. “Gjashtë muaj më parë u sulmuan e kërcënuan nga kazani dhe deputetët e Ramës. I sulmuan si “tropojanë” dhe i kërcënuan publikisht me vettingun. Sot ka ardhur akti i fundit. Gjithshka e paralajmëruar nga PD po vërtetohet pikë për pikë. Rama kapi prokurorinë pikërisht për të shpëtuar Tahirin dhe kokën e tij”, u shpreh zoti Paloka.

Në të njejtën linjë dhe kryetarja e Lëvizjes socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, sipas së cilës bëhet fjalë për një shkarkim të paligjshëm, “Largimi i tij nga detyra është qartas përpjekje për të mbyllur përfundimisht çështjen “Tahiri”, e cila mban peng jo vetëm Edi Ramën, por të gjithë qeverinë. Emërimi dhe shkarkimi i drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk është kompetencë e Arta Markut”, shkruan në një postim të saj në Facebook, zonja Kryemadhi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG