Lidhje

BE gati për të diskutuar mbi tarifat amerikane dhe masat reciproke


Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se Bashkimi Evropian është i gatshëm për të diskutuar tarifat e propozuara nga presidenti amerikan Donald Trump mbi importet e aluminit dhe çelikut, por shtoi se pjesë e bisedimeve duhet të jenë edhe masat reciproke.

"Ne e kemi bërë qëndrimin tonë të qartë përsa i takon çështjeve të tregtisë me Shtetet e Bashkuara", u tha zonja Merkel gazetarëve, përpara hapjes së takimit të nivelit të lartë të BE-së në Sofje.

"BE-ja ka një qëndrim të përbashkët. Duam një përjashtim të përhershëm, por jemi gjithashtu të gatshëm të flasim për mënyrën se si mund të ulim reciprokisht barrierat tregtare", tha ajo.

Në mars presidenti Trump vendosi tarifa për importet e çelikut dhe aluminit, por i përjashtoi 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian deri më 1 qershor. BE- ja ka përpiluar një listë tarifash doganore me vlerë rreth 3.4 miliardë dollarë që mund t’u vendosë produkteve amerikane, nëse SHBA nuk e përjashton BE-në në mënyrë të përhershme prej tarifave.

"Ajo që ne po mbrojmë është sovraniteti i tregtisë evropiane dhe ajo që kërkojmë është përjashtimi pa kushte apo kufizime si dhe për t'u rikthyer në gjendjen e mëparshme", tha Presidenti francez Emmanuel Macron.

BE-ja e ka hedhur poshtë pretendimin e zotit Trump se tarifat janë të nevojshme për sigurinë kombëtare të SHBA-së. BE-ja e sheh këtë si politikë proteksioniste, që synon të rrisë fitimet për bizneset amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG