Lidhje

Vendimi i Gjykatës së Lartë mbështet lirinë fetare


Komuniteti i homoseksualëve në Amerikë pësoi një zhgënjim dje pas vendimit të Gjykatës së Lartë, që i dha të drejtë pronarit të një embëltoreje në Kolorado, i cili refuzoi për shkak të besimit fetar, të përgatiste një tortë pët martesën e një çifti të të njëjtit seks. Vendimi, ndonëse i kufizuar, ngre pyetjen nëse biznese të tjera, bazuar në bindjet fetare, mund të refuzojë t’u shërbejnë personave homoseksualë.

Rasti në fjalë ishte një përplasje ligjore mes të drejtave të homoseksualëve nga njera anë dhe lirive fetare dhe fjalës së lirë nga ana tjetër. Sipas vendimit të Gjykatës së Lartë, që mori mbeshtetjen e 7 gjyqtarëve dhe votën kundër të dy prej tyre, Komisioni i të Drejtave Civile të Kolorados shkeli të drejtat e pronarit të ëmbëltores Jack Phillips, duke e urdhëruar atë të përgatiste tortën.

Zoti Phillips e mirëpriti vendimin, që sipas avokatëve të tij ishte dëshmi e lirive që gëzojnë besimtarët.

"Jemi të gëzuar që Gjykata e Lartë vendosi të mbrojë lirinë fetare për të gjithë. Vendimi mund të përmblidhet si tolerancë me dy kahje, që liria fetare duhet të respektohet ashtu siç respektohen të drejtat e homoseksualëve në shumë rrethana të tjera", tha Michael Farris, avokati i ëmbëltores “Masterpiece”.

Avokatët e çiftit Charlie Craig dhe David Mullins argumentuan se bizneset nuk mund të diskriminojnë kur shesin për publikun. Ata thanë se duan vetëm që njerëzit të trajtohen në mënyrë të barabartë.

"Natyrisht që jemi të zhgënjyer me vendimin e sotëm. Do të vazhdojmë të ngrihemi për njerëzit dhe për të drejtat e tyre, që të mos i largojnë nga bizneset thjesht se janë, ata që janë”, tha Dave Mullins një prej personave të cilit iu refuzua shërbimi nga dyqani i tortave “Masterpiece”.

Avokatët e të drejtave civile u shprehën të zhgënjyer me vendimin.

"Askush në Amerikë, pavarësisht se ku jeton, nuk duhet të frikësohet se do të largohet nga puna, se mund t’i mohohet strehimi apo se do të largohet nga një biznes, thjesht për shkak të asaj që është. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për këto parime", tha Ian Thompson përfaqësuesi ligjor i Bashkimit Amerikan të Lirive Civile (ACLU).

Por gjatë një interviste për Zërin e Amerikës Susan Bloch, profesore e së drejtës kushtetuese në universitetin Georgetown, thotë se vendimi nuk shkaktoi aq dëm për të drejtat e barabarta sa mund të kishte shkaktuar.

"Ëmbëltorja është një biznes privat. Pritet që t’i shërbejë publikut, ndaj fakti që ata u lejuan t’i refuzojnë shërbimin këtij çifti, është disi i papritur. Por gjykata dha një vendim shumë të kufizuar dhe po e lë çështjen të hapur për shtete të tjera që të hartojnë ligjet e tyre dhe t’i zbatojnë ato në një mënyrë që Kolorado nuk e bëri. Vendimi i Komisionit të Kolorados ishte fyes në lidhje me besimin fetar të pronarit të ëmbëltores, ndaj dhe mendoj se vendimi i gjykatës ishte pikërisht kundër këtij komisioni”, tha ajo.

Aktivistët e të drejtave civile janë të shqetësuar se vendimi mund të inkurajojë biznese të tjera të refuzojnë shërbimin nga personave homoseksualë. Por zonja Bloch thotë se vendimi është i kufizuar për të shërbyer si preçedent në raste të tjera. Administrata e presidentit Trump ka bërë të ditur se do të mbështesë të drejtën e një dyqani për të vendosur njoftime ku të shkruhet se nuk u shërbejnë klientëve homoseksualë për arsye fetare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG