Në Shqipëri, Banka Qendrore, njoftoi sot vendimin për të ndërhyrë për të frenuar mbiçmimin e monedhës vendase, Lek, e cila është forcuar ndjeshëm kundrejt Euro-s, duke fituar 3.5 pikë vetëm që nga fillimi i muajit maj, kur 1 Euro këmbehej me 127.92 Lekë. Këshilli Mbikqyrës i Bankës, vlerësoi sot se “ky mbiçmim – i cili u identifikua si një faktor rreziku në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës në muajin maj – ka forcuar presionet në kahun rënës të inflacionit”, deklaroi guvernatori Gent Sejko. Në tremujorin e parë të këtij viti, norma mesatare e inflacionit ishte 1.9 përqind, ndërkohë që objektivi i Bankës së Shqipërisë është 3 përqind.
Për këtë arsye, Këshilli mbikqyrës, vendosi sot të ulë normën bazë të interesit, me 0,25 pikë përqindje, duke e zbritur atë në një tjetër kuotë minimum historik prek 1 përqind. “Rritja e stimulit monetar pritet të shoqërohet me reduktim të mëtejshëm të normave të interesit të kredisë dhe me rritje të qarkullimit të mjeteve monetare në lekë. Në këtë mënyrë, ai pritet t’i japë një impuls shtesë kërkesës agregate, si nëpërmjet uljes së kostos së financimit të konsumit dhe të investimeve edhe nëpërmjet riekuilibrimit të kërkesës dhe ofertës për valutë në tregun financiar”, shpjegoi guvernatori Sejko. Prej vitit 2011, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë 16 herë me ulje të normës bazë të interesit, për të stimuluar ekonominë. Dy ndërhyrjet e fundit kanë qenë në prill dhe maj të vitit 2016.
Por hapësirat përmes reduktimit të normës bazë të interesit janë të kufizuara, dhe efektet e tij nuk janë të menjëhershme por të shtrira në kohë. Ndërsa për një efekt më të shpejtë për të frenuar mbiçmimin e Lekut, Banka njoftoi gjithashtu ndërmarrjen e operacioneve të blerjeve të valutës në tregun e brendshëm. “Operacionet e blerjes së valutës do të synojnë eliminimin e tepricës së përkohshme të valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili do të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve. Në këtë mënyrë, operacionet do t’i shërbejnë plotësimit dhe përforcimit të stimulit monetar, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Gjithashtu, ato do të ndihmojnë tregun për të gjetur çmimin e drejtë të këmbimit të lekut kundrejt valutave, në linjë me raportet e qëndrueshme dhe afatgjata të kërkesës dhe ofertës për të”, shpjegoi guvernatori Sejko, duke shtuar se “operacionet e blerjes së valutës do të ruajnë kohëzgjatjen e nevojshme dhe të mjaftueshme për përmbushjen e objektivave tanë”.
Banka deri më tani e kishte motivuar tendencën e forcimit të monedhës vendase, me përmirësimet strukturore të ekonomisë, ndërkohë që mjaft ekspertë e kishin lidhur atë me hyrjen e flukseve në euro nga aktivitetet e paligjshme e kryesisht me atë të marijuanës, pas një përhapje masive që njohu kultivimi i saj në vitin 2016. Sot guvernatori Sejko shpjegoi se mbiçmimi “duket se pasqyron krijimin e pritjeve të njëanshme – në kahun forcues të kursit të këmbimit – nga operatorët e tregut valutor. Këto pritje – shpjegoi ai - janë shkaktuar nga informacioni për rritje të ofertës valutore, kryesisht në përgjigje të konvertimit të pritur të kapitalit nga disa banka të sistemit, të disbursimit të një kredie në valutë në favor të një kompanie publike, si dhe të pritjeve për një sezon të mirë turistik. Si rrjedhojë, pritjet kanë sjellë njëkohësisht rritje të ofertës dhe reduktim të kërkesës për valutë”.
Pavarësisht se sipas Bankës Qendrore, bëhet fjalë për një fenomen të përkohshëm “në mungesë të ndryshimit të faktorëve fondamentalë, pritjet e njëanshme afatshkurtra mbi kahun forcues të kursit të këmbimit rrezikojnë të shndërrohen në pritje të qëndrueshme dhe afatgjata. Konsolidimi i këtyre pritjeve dhe krijimi i dimensionit vetë-përmbushës të tyre, mund të krijojnë një rreth vicioz me ndikim të dëmshëm në inflacion dhe në treguesit e tjerë ekonomikë”, theksoi guvernatori Sejko duke motivuar vendimin e marrë sot nga Këshilli Mbikqyrës i Bankës.
Facebook Forum