Lidhje

Kosovë, konferencë shkencore për 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit


Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, akademikë dhe historianë nga Kosova dhe Shqipëria u mblodhën në Prishtinë në një konferencë shkencore ndërkombëtare “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, e organizuar nga Akademia e Shkencave të Kosovës dhe Shqipërisë.

Konferenca që do të zgjasë dy ditë, po trajton rëndësinë e Lidhjes së Prizrenit në të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se Lidhja e Prizrenit është organizata më e rëndësishme politike dhe ushtarake e popullit shqiptar, e krijuar pas heroit Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

“Me veprimet e veta, Lidhja Shqiptare e Prizrenit tërhoqi vëmendjen e diplomatëve dhe konsujve të huaj, duke dëshmuar se shqiptarët po mobilizonin forca dhe nuk lejonin zbatimin e marrëveshjeve të pa drejta ndërkombëtare që copëtonin hapësirat e tyre etnike. Rilindja Kombëtare dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit e shekullit 19, rrumbullakoi vetëm pjesërisht idealet e shqiptarëve në fillim të shekullit 20, me krijimin e shtetit të pavarur të Shqipërisë, më 28 nëntor 1912”,tha presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi tha se në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, shoqëria shqiptare është në pozicionin më të mirë historik.

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, në rrugë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kurse shteti i Kosovës është konsoliduar si shtet, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar dhe tani në fokus ka objektivin e tretë, atë të integrimeve euroatlantike”,tha ai.

Floresha Dado nga Akademia e Shkencave në Tiranë tha se në këtë konferencë pritet që të bëhen publike gjetje të reja që lidhen me periudhën e Lidhjes së Prizrenit.

“Ne nuk kujtojmë thjeshtë se ç’ishte Lidhja e Prizrenit por pas 140 vjetësh studiuesit kanë sjellur kontribute të reja, sillni dokumenta që hapin diskutime dhe dritare të reja në interpretimin e historisë së popullit tonë sepse historia nuk përfundon asnjëherë për derisa ajo është ehd në dokumenta të dukshme por edhe në dokumente që presin të zbulohen”, tha zonja Dado.

Më 10 qershor të viti 1878, shqiptarët themeluan Lidhjen e Prizrenit për t’iu kundërvënë vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe Traktatit të Shën Stefanit, si pasojë e të cilit trojet shqiptare i merreshin perandorisë osmane për t’iu dhënë shteteve të Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë.

Lidhja e Prizrenit llogaritet si një nga ngjarjet kryesore e historisë shqiptare, e cila sipas studiusëve mbetet trashëgimi për vetëdijesimin e shqiptarëve për rëndësinë e kombit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG