Lidhje

Republika e Maqedonisë Veriore, zgjidhet mosmarrëveshja 27 vjeçare për emrin


Mosmarrëveshja 27 vjeçare midis Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit duket se është zgjidhur. Të dyja palët ranë dakort të martën që emri zyrtar i Maqedonisë të jetë Republika e Maqedonisë Veriore.

Marrëveshja midis Athinës dhe Shkupit duhet të miratohet tani nga ligjvenësit dhe votuesit në Maqedoni.

Çështja e emrit e kishte bllokuar Maqedoninë në përpjekjet për t'u integruar në aleancën e NATO-s dhe në Bashkimin Evropian.

Shtetet e Bashkuara e përshëndetën marrëveshjen. Përmes një deklarate të martën, Departamenti i Shtetit theksonte se nga zgjidhja e çështjes së emrit do të përfitojnë të dy vendet, si dhe siguria dhe zhvillimi rajonal. Shtetet e Bashkuara, thuhet në deklaratë, janë të gatshme të mbështesin marrëveshjen, siç është kërkuar nga të dy vendet.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se "marrëveshja historike e fut Shkupin në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe ajo do të ndihmojë në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor".

Duke përshëndetur kryeministrat e të dy vendeve, Aleksis Tsipras të Greqisë dhe Zoran Zaev të Maqedonisë, Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk tha se "e pamundura u bë e mundur". Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn thanë se marrëveshja i hap rrugën çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shkupin në qershor.

"Nuk ka kthim prapa”, tha kryeministri Zoran Zaev në një koferencë shtypi të martën, pas biseds telefonike me kryeministrin grek Alexis Tsipras.

Kryeministri grek u shpreh përmes një deklarate të transmetuar nga televizioni grek se marrëveshja do të sqarojë dallimin mes provincës greke te Maqedonisë dhe Republikës së Maqedonisë Veriore.

Më herët gjatë ditës është thënë se dy qeveritë kanë rënë dakord për përdorirmin e termit “shtetas maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase”, ndërsa në pasaportë do të shkruhet “shtetas i Republikës së Maqedonisë Veriore”.

Në kuadër të marrëveshjes Shkupi duhet të bëjë ndryshime në kushtetutën e vendit, duke e hequr referencën “për mbrojtjen e pakicave maqedonase jashtë kufijve të shtetit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG