Lidhje

Imigracioni në qendër të vëmendjes


Uashingtoni po ripërqëndrohet përsëri tek imigracioni, pasi administrata Trump i doli në mbrojtje ndarjes së disa fëmijëve imigrantë nga prindërit e tyre në kufirin e Shteteve të Bashkuara, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve përgatitet të votojë për reformat e mëdha në ligjin e imigracionit.

Dikur ishte një praktikë e rrallë, por tani agjentët federalë në mënyrë tërregullt ndajnë familjet që kërkojnë azil, apo përpiqen të hyjnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.

Rreth 2,000 të mitur po strehohen në ambjente si ky dyqan i konvertuar Walmarti në Teksas, ndërsa vendoset statusi i imigracionit të prindërve të tyre. Videoja e publikuar nga qeveria amerikane tregon ato që duken të jenë kushte humane, por zemërimi ndaj politikës së "tolerancës zero" të administratës Trump për ardhjen e paautorizuar të imigrantëve në kufi, është rritur.

“Kjo është e tmerrshme. Po marrim edhe foshnje katër muajshe. Një apo dy vjeç. Kjo është mizore”, thotë një protestues.

“Kjo politikë është hartuar për të trembur prindërit, duke i larguar fëmijët e tyre dhe duke traumatizuar fëmijët. Agjentët federalë mendojnë se kjo do të shërbejë si pengesë për njerëzit që ushtrojnë një të drejtë themelore të njeriut - kërkojnë azil ", thotë arqipeshkvi Thomas Wenski i dioqezës së Majemit.

Presidenti Donald Trump vazhdon ta shikojë debatin e imigracionit të Amerikës si një çështje që lidhet me sigurinë publike, duke iu referuar shpesh anëtarëve të një bande kriminale të Amerikës Qendrore.

“Mijëra anëtarë të bandës MS-13, që kanë hyrë në vendin tonë ilegalisht dhe në mënyrë të dhunshme, jetojnë me moton mizore: vrit, përdhuno dhe kontrollo”.

Shtëpia e Bardhë këmbëngul se po zbaton ligjin.

"Fëmijët mund të trajtohen shpejt, bukur dhe menjëherë. Demokratët e miratuan këtë ligj në vendin tonë".

Ekspertët e emigracionit dhe shumë studiues juridikë thonë se, në fakt, administrata po e interpreton ligjin e imigracionit të Shteteve të Bashkuara, si asnjë administratë tjetër. Demokratët kanë dënuar si politikën, ashtu edhe logjikën e zotit Trump për ta zbatuar atë.

"Në botë njihet e drejta e njerëzve për të kërkuar azil, përveç me sa duket në Shtetet e Bashkuara", tha udhëheqësja e pakicës demokrate, Nancy Pelosi.

Emocionet po shtohen, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve përgatitet të votojë këtë javë për dy projektligje të reformës së imigracionit të paraqitura nga republikanët.

"E thamë qysh në fillim - ne duam që Dhoma e Përfaqësuesve të debatojë reformën e imigracionit në një mënyrë serioze dhe kuptimplotë. Dhe duket se kjo po ndodh për herë të parë në gati një dekadë", thotë ligjvënësi republikan Carlos Curbelo.

Të dyja projektligjet do të jepnin status ligjor për qindra mijëra imigrantë pa dokumenta që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, do të bënin ndryshime të imigracionit të ligjshëm dhe do të shtonin sigurinë kufitare të Shteteve të Bashkuara. Nuk është e qartë në se ndonjëri prej tyre do të miratohet me vota të mjaftueshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG