Lidhje

Tiranë, borxhi publik dhe ndikimi në ekonomi


Në Tiranë, studiues të pavarur të ekonomisë mendojnë se borxhi publik ka mbërritur tashmë në nivele të larta dhe nuk mund të përdoret më si mjet i zhvillimit dhe rritjes ekonomike. Ata diskutuan në një tryezë ekspertësh, me shqetësimin se niveli i borxhit publik është bërë tashmë temë e qëndrueshmërisë ekonomike.

Borxhi publik
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:02:59 0:00

Fondacioni Konrad Adenauer dhe Qendra Shqiptare për Qeverisje të Mirë organizuan sot një konferencë shkencore, ku u theksua se borxhi publik aktual është 3 mijë dollarë për frymë, ose 70 për qind e prodhimit kombëtar, dhe se rifinancimi i borxhit, sipas FMN-së, kërkon çdo vit 20 për qind të prodhimit të brendshëm kombëtar.

Studiuesit pohuan se ekonomia shqiptare, e bazuar tek importet, është shumë e brishtë ndaj borxhit, rritja është e vogël (3 - 3.5 %), informaliteti është i lartë, dhe kjo gjendje nxit rritje të vazhdueshme taksash.

Ekspertët pohuan se strategjia e menaxhimit të borxhit duhet të jet më transparente dhe më komunikuese me publikun.

“Ne duhet të jemi shumë më të vendosur në objektivat për fillimin e reduktimit të sasisë së borxhit, e për pasojë edhe të detyrimeve vjetore që ka buxheti i shtetit për shlyerjen e këtij borxhi. Nëse do të avancojmë me borxh tjetër, ky borxh i ri duhet të jetë ekskluzivisht i lidhur ngushtë me financime që kanë të bëjnë me rritjen ekonomike dhe me rritjen e punësimit, sepse vetëm në këtë mënyrë ai mund të kthehet në një faktor pozitiv edhe për shlyerjen e borxheve të vjetra edhe për të krijuar një qëndrueshmëri makro-fiskale” - dr. Ardian Civici, studiues i ekonomisë.

Tavani i borxhit është rritur herë pas here me vendim qeverie, por borxhi, sipas tyre, nuk është thjesht e çështje e qeverisë, po edhe e publikut, e qëndrueshmërisë dhe të ardhmes së ekonomisë.

Ekspertët pohuan se për asnjë qeveri nuk është e përshtatshme që të shtojë borxhet përherë e më shumë, dhe se pakësimi i kësaj barre mbetet detyrë e përditshme.

“Element thelbësor në financat publike është saktësia e shifrave. Shefja e FMN-së, Legardë, thotë se qeverisja e vendit pa statistika ëhstë njëlloj si të ecësh me drita të fikura në një tunel. Përgjegjësia për saktësinë e shifrave dhe kriza e vitit 2008 na kujtojnë sa rëndësi ka saktësia e shifrave të borxhit publik, të borxhit të kompanive dhe madje edhe borxhit të individëve. Këto janë tre borxhe që të mbledhura së bashku, mund ta cënojnë ekonominë e një vendi” - tha dr. Arben Malaj, studiues i ekonomisë.

Borxhi publik nisi të rritet ndjeshëm nga viti 2012. Zakonisht në Shqipëri borxhi merret për të mbuluar gabimet dhe nevojat e ngutshme ekonomike dhe sociale dhe për të korigjuar politikat ekonomiko-sociale. Aktualisht qeveria rinegocion për shtyrjen e afateve të borxhit. Studiuesit kërkuan transparencë më të madhe për statistikat bankare dhe saktësi në shifrave të borxhit publik.

“Nivelet e larta të borxhit publik në Shqipëri mbeten një kërcënim potencial për qëndrueshmërinë makro-ekonomike. Ky rrezik është evidentuar edhe nga raporti i fundit i FMN-së edhe në raport-progresin e Komisionit Europian për Shqipërinë sa u takon financave publike. Qeveria thotë se ka një strategji të reduktimit të borxhit publik dhe një angazhim publik për ta reduktuar borxhin, por në fakt mbeten të paqarta mënyra se si do të realizohet kjo. Edhe ky shqetësim është i evidentuar. Projeksionet ekonomike afatmesme tregojnë se rritja e të ardhurave duket se do të jetë stagnante, nga ana tjetër reduktimi i shpenzimeve është shumë i pjesshëm dhe i pakët” - tha studiuesi Selami Xhepa.

Nga viti 2012 borxhi publik është bërë një çështje që rëndon mbi qëndrueshmërinë makro-ekonomike të vendit.

Ekspertët pohuan se ekonomia po merr një peshë të panjohur nga borxhet e fshehta, siçjanë projektet e partneritetit publik - privat, si dhe borxhet që marrin pushtetet vendore per projekte të ndryshme.

Ekspertët mendojnë se Shqipërisë i nevojitet një rritje e shëndetshme pa borxhe dhe se rritja ekonomike nuk duhet bazuar te përdorimi i tepruar i borxheve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG