Lidhje

Hulumtuesit testojnë rrjetin 5G


5G
5G

Fundi i këtij viti do të shënojë hapat e parë të instalimit të rrjetit të shumë-pritur celular, që njihet si 5G, i cili ofron qasje më të shpejtë në internet. Në mes të provave për gatishmërinë e këtij rrjeti janë edhe hulumtuesit nga universitetet “Lund” dhe “Bristol” në Suedi. Synimi është që shpejtësia prej 1 gigabit për sekondë, të jetë mesatarja normale për pajisjet në rrjetin 5G.

Në kampusin e universitetit Lund në jug të Suedisë gjendet laboratori i parë në botë për testimin e rrjetit 5G.

Profesori Fredrik Tufvesson merret me hulumtimet në Universitetin Lund.

“Kemi laboratorin e parë që kryen prova në kohë reale për dërgimin dhe marrjen e të dhënave masive, ku demostrojmë se kjo teknologji aktualisht funksionon në mjedise të zakonshme dhe se mund të vihet në zbatim.”

Në një ndarëse të madhe janë montuar 144 antena individuale. Dy telefona celularë të bashkangjitur mbi tuba portativë, ku secili është i lidhur me tela në bazën e stacionit, imitojnë katër përdorues të ndryshëm duke transmetuar të dhënat e tyre në stacionin bazë.

“Bazuar në të dhënat e marra në stacionin bazë, ne mund të llogarisim dhe ndajmë përçimin e ndryshëm të të dhënave”, thotë profesori Tufvesson.

Gjatë provave laboratorike vitin e kaluar, hulumtuesit arritën të regjistrojnë shpejtësi 20 herë më të lartë se rrjeti i sotëm 4G.

Pas provave në laborator, tani po testojnë aftësitë e teknologjisë kur përdoruesit janë në lëvizje.

Studenti Erik Bengtsson në një dhomë aty pranë po kryen teste të tjera.

“Në njërën anë kemi mbi 200 antena dhe 128 në krahun tjetër. Synimi është që të transmetojmë sinjalin shumë shpejt mes të gjitha antenave dhe masim trasmetimin nga një antetë tek tjetra. Kështu mund të masim karakteristikat e dhomës dhe si reagon sinjali në bazë të madhësisë së dhomës.”

Në dhomën tjetër të provave, profesori Tufvesson tregon përfitimet që teknologjia 5G do të sjellë për industrinë.

“Industrive do t’u mundësohet përdorimi i aplikimeve të reja me pengesa më të pakta në rrjet dhe siguri më të madhe. Këto janë dy gjëra të nevojshme për të arritur nivelin tjetër të lidhjeve celulare, për përdorim të plotë në lëmin industrial.”

Shpresa është që rrejti 5G të ndihmojë në rritjen përdorimit të teknologjisë për pajisjet në internet, duke ofruar infrastrukturën e nevojshme për shkëmbime të dhënash në sasi të larta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG