Lidhje

Hapja e bisedimeve me BE-në, debate në parlament


Në Shqipëri, parlamenti u përfshi sot në debate lidhur me vendimin e dy ditëve më parë të ministrave të Jashtëm të Bashkimit europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë. Ndërsa për qeverinë Brukseli ka vendosur Qershorin si datën e nisjes së këtyre bisedimeve, për opozitën vendi ka dështuar, dhe se vendimi I marë është vetëm një shtyrje në kohë për më shumë se një vit.

Shqipëri: Debat në parlament për vendimin e BE-së
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:19 0:00

Pasi për javë të tëra politika shqiptare thuajse kishte vënë një bast lidhur me vendimin e vendeve anëtare të Bashkimit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, dy ditë pasi ato u shprehën, qeveria dhe opozita e lexojnë atë krejtësisht ndryshe.

Për ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, nuk ka vend për dyshime: “Mesazhi i parë: Këshilli i përgjigjet pozitivisht rekomandimit të Komisionit europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Mesazhi i dytë: Këshilli përcakton datën, qershor 2019, si datë të fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Mesazhi i tretë: Këshilli i kërkon Komisionit nisjen e punës përgatitore”.

Por për opozitën Shqipëria nuk mori atë që priste e sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha, edhe në 2019 vendimi rrezikon të mos merret për shkak të qeverisë aktuale: “Nuk ka hapje negociatash me Shqipërinë. Ka një shtyrje të vendimit me 1 vit dhe, në qoftë se kushtet nuk plotësohen, prapë nuk ka hapje negociatash. Nuk janë më 5 kushtet fillestare, janë 13 sa i përket Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian dhe, akoma më shumë, sa i përket vendeve anëtare.

Në të njejtën linjë edhe Lëvizja socialiste për Integrim. “Kryeministri I pari, qevria pas tij e mandej të gjithë ne deputetët, në pushtet dhe opozitës, do të duhej të kërkonim ndjesë që nuk ja dolëm të meritonim vendimin për çeljen e negociatave”, deklaroi nënkryetari i saj Luan Rama.

Kryeministri Edi Rama nga ana e tij, i mëshoi më shumë akuzave ndaj opozitës “që është e vetmja në historinë e procesit të integrimit në Bashkimin Europian që punon ditë-natë kundër vendit të vet, sa herë hap gojën dhe artikulon fjalë në gjuhë të huaj”.

Por për kryetarin demokrat Basha, kryeministri është përgjegjësi kryesor i pengesës së Shqipërisë në përparimin drejt BE-së dhe se e vetmja zgjidhje është largimi i qeverisë së zoti Rama. “Le ta nisim betejën për të vërtetën sot e të mos e ndalim derisa ta çlirojmë vendin nga kjo e keqe. Derisa ta largojmë Edi Ramën dhe klikën e tij të korruptuar e t’i japim vendit qeverinë që do të bëjë të mundur plotësimin e aspiratës sonë për Shqipërinë si gjithë Europa”, deklaroi zoti Basha në mbyllje të fjalës së tij.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG