Lidhje

Kryeprokurorja Marku në parlament, akuza nga opozita


Në Shqipëri, mbledhja e sotme e Komisinit parlamentar të Ligjeve ku ishte ftuar të paraqiste raportin vjetor për vitin 2017, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, u shoqërua me replika të forta mes deputetëve të shumicës dhe opozitës.

Që në nisje, përfaqësuesit e opozitës e cilësuan në shkelje të rregullores mbledhjen e sotme ndërsa kishin kërkuar më parë shtyrjen e saj. Pas raportimit të zonjës Marku mbi aktivitetin e institucionit që ajo drejton, përgjatë vitit 2017, debatet u nxehën në momentin e pyetjeve dhe përgjigjeve. Deputetët e opozitës ripërsëritën fillimisht qëndrimin e tyre se zonja Marku ishte zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhjetorin e kaluar, ndërsa më shumë se sa shpjegime për të dhënat e Raportit për vitin e shkuar, kërkuan prej saj të dhëna për hetimet e disa çështjeve që kanë qenë në qendër të vëmendjes, si ato që lidhen me ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj apo dhe lëvizjet e kryera në prokurori.

Kryeprokurorja saktësoi që në fillim se ajo ndodhej aty për zhvillimet e vitit të shkuar, ndërsa përsa i përket çështjeve aktuale ajo shpjegoi se me ligjin e ri, funksionimi i Prokurorisë ka ndryshuar dhe se çdo çështje hetimore është në dorën e prokurorit që e drejton, ndërsa ajo si titullare e institucionit nuk ka asnjë tagër për të ndërhyrë apo për të kërkuar informacion.

Lidhur me transferimet apo komandimet në krye të disa prokurorive në rrethe ajo tha se i ka bërë në mbështetje të ligjit duke sjellë në vëmendje faktin se gjykatat i kanë dhënë të drejtë në rastet kur për to ka patur ankimime.

Ndërsa deputetët e opozitës në mënyrë të përsëritur janë treguar të indinjuar nga përgjigjet e kryeprokurores, drejtuesi i Komisionit, socialisti Ulsi Manja, mbylli mbledhjen, vendim i cili u cilësua si arbitrar nga përfaqësuesit e opozitës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG