Lidhje

Rivlerësimi, shkarkohen dy anëtar të Gjykatës së Lartë


Në Shqipëri dy anëtarë të Gjykatës së Lartë Tom Ndreca dhe Admir Thanza u shkarkuan sot nga detyra, pasi nuk kaluan dot provën e procesit të rivlerësimit. Për të dy gjykatësit Komisioni i Pavarur i Kualifikimit kishte deklaruar se kishin probleme me deklarimin e pasurisë si dhe kontakte të papërshtatshme për figurën e gjyqtarit. Me vendimin e sotëm aktiviteti i Gjykatës së Lartë vihet në rrezik duke qenë se nga 19 anëtarë ajo ka mbetur tanimë vetëm me 7 gjyqtarë

Në harkun kohor të 60 minutave, dy trupa të veçanta të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhanë sot vendimin e tyre ndaj dy gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë Tom Ndreca dhe Admir Thanza. Asnjëri prej tyre nuk do të mund të ushtrojë më detyrën. Vendimi ishte thuajse i pritshëm për të dy, nisur nga seancat dëgjimore ku u vunë në dukje problemet me pasuritë e deklaruara, apo dhe ato që lidhen me pastërtinë e figurës. Për të dy gjyqtarët ishin ngritur pretendime për kontakte të tyre të papërshtatshme me elementë të botës së krimit.

Rasti i gjykatësit Thanza ishte dhe më i rëndë, pasi atij, ju zbulua, një dënim në Itali për vjedhje në 1999, të cilin Gjykatësi e kishte mbajtur të fshehur, ndonëse siç shpjegoi, nuk kishte qenë ai që e kishte bërë krimin por se e kishte marrë përsipër për të ndihmuar të kunatën e cila ndodhej në Itali për të kuruar të birin nga një sëmundje e rëndë.

Vendimet e sot e komplikojnë edhe më shumë situatën në Gjykatën e Lartë, e cila që prej 2013 funksionon me një numër të cunguar gjyqtarësh. Deri në vitin 2016, përplasjet mes shumicës së majtë dhe presidentit Bujar Nishani, bllokuan të gjitha emërimet për vendet e mbetura bosh. Ndërsa pas hyrjes në fuqi të Reformës në Drejtësi, ato u bënë të pamundura përsa kohë institucionet e reja nuk janë ngritur ende. Nga 19 anëtarë, 10 vende kanë mbetur të paplotësuara, ndërsa gjyqtarët janë larguar për shkak të mbarimit të mandatit. Me shkarkimin sot të dy anëtarëve të tjerë, Gjykata mbetet të funksionojë vetëm me 7 gjyqtarë. Në rrezik shkarkimi duket të jetë dhe anëtari tjetër Artan Zeneli. Ndërsa numri i çështjeve në pritje të shqyrtimit është diku te 26 mijë.

Situata në këtë Gjykatë pason atë në Kushtetuese, e cila është totalisht e bllokuar, pas vetëm 2 anëtarë kaluan procesin e rivlerësimit, 4 u shkarkuan ndërsa tre të tjerë kishin dhënë dorëheqjen më parë.

Sipas Inspektoriatit të Verifikimit të pasurive, gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve rrezikojnë të shkarkohen për shkak të problemeve që janë verifikuar vetëm me pasurinë, pa ju nënshtruar ende të gjithë procesit të rivlerësimit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG