Lidhje

Pastori amerikan i burgosur në Turqi


Një pastor amerikan, i cili u burgos në Turqi i akuzuar për terrorizëm dhe spiunazh, u vendos nën arrest shtëpie. Mediat turke publikuan pamje të këtij momenti.

Burgosja dy vjeçare e pastorit evangjelist Andrew Brunson, nga Black Mountain i Karolinës së Veriut, ka tensionuar marrëdhëniet mes Turqisë dhe SHBA-së, aleatë në NATO.

Njoftimi për transferimin e tij vjen një javë pasi një gjykatë brenda një kompleksi burgu në qytetin perëndimor turk Aliaga vendosi ta mbante zotin Brunson në burg, ndërsa ai gjykohej. Gjykata hodhi poshtë kërkesën e avokatit të zotit Brunson që ai të lirohej në pritje të rezultatit të gjykimit, që u shty deri më 12 tetor.

Zoti Brunson akuzohet se ka ndihmuar një rrjet të udhëhequr nga kleriku mysliman që ndodhet në SHBA, të cilin Turqia e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit të vitit 2016 kundër Presidentit Rexhep Tajip Erdogan si dhe për mbështetje të militantëve kurdë të jashtëligjshëm.

Në një postim në twiter sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo shkruante se transferimi i pastorit Brunson duhet të ishte bërë kohë më parë dhe shtoi se SHBA-ja shpreson që Ankaraja të bëjë më shumë.

Nëse dënohet, pastori 50-vjeçar, i cili i mohon akuzat, mund të përballet me 35 vjet burg.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG