Lidhje

SHBA: Prokurori i Përgjithshëm kundër shkarkimit të zëvendësit


Prokurori i Përgjithshëm amerikan Jeff Sessions tha të enjten se ka "besim të madh" tek zëvendësi i tij, Rod Rosenstein, duke kundërshtuar kërkesën e një grupi ligjvënësish republikanë konservator për shkarkimin nga detyra të tij.

Duke folur në një konferencë shtypi në Boston, zoti Sessions tha: "zëvendësi im Rod Rosenstein është shumë i aftë". Ai shtoi gjithashtu se: "do të doja që Kongresi të përqendrohej në disa nga sfidat ligjore. Kemi nevojë që ai të merret me çështjen e imigracionit".

Zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend si dhe kreu i Departamentit të Drejtësisë Jeff Sessions, ofroi mbështetjen e tij për zotin Rosenstein një ditë pasi 11 republikanë të Dhomën e Përfaqësuesve nisën një përpjekje për shkarkimin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm.

Ata e akuzojnë atë për sjellje të papranueshme dhe se ka dështuar të vendosë në dispozicion të tyre, informacione që lidhen me hetimin që po kryhet nga Prokurori i Posaçëm rreth ndikimit rus në zgjedhjet amerikane të vitit 2016.

Zoti Rosenstein mbikëqyr hetimin e zotit Mueller dhe është bërë objekt sulmesh i Presidentit Donald Trump dhe aleatëve të tij në Kongres, përfshirë ligjvënësit që nisën procesin e shkarkimit. Por kjo përpjekje është kundërshtuar edhe nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, Paul Ryan.

Nuk pritet që votimi në Dhomën e Përfaqësuesve lidhur me kërkesën për shkarkim të ndodhë së shpejti. Anëtarët e Dhomës janë kthyer në distriktet e tyre për një ndërprerje dhe nuk pritet të kthehen në Kongres përpara shtatorit.

Zoti Rosenstein po mbikëqyr hetimin prej momentit kur shefi i tij në Departamentin e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions u tërhoq nga kjo çështje për shkak të konfliktit të interesit. Zoti Rosenstein emëroi ish-drejtorin e FBI-së Robert Mueller-in si Prokuror të Posaçëm dhe deri më sot, ekipi i zotit Mueller ka ngritur akuza ndaj 32 personave, përfshirë disa që kanë punuar për fushatën e presidentit Donald Trump.

Zoti Trump dhe aleatët e tij e kanë cilësuar vazhdimisht hetimin si "gjueti shtrigash" dhe zoti Trump ka mohuar që njerëzit e fushatës së tij të kenë patur bashkëpunim sekret me Rusinë me qëllimin për ta ndihmuar atë të fitojë zgjedhjet.

"Departamenti i Drejtësisë vazhdon t’i fshehë informacion Kongresit dhe të pengojë në mënyrë të përsëritur procesin e mbikëqyrjes, duke shpërfillur madje edhe disa thirrje për paraqitje me detyrim përpara Kongresit", tha të mërkurën ligjvënësi Mark Meadows. "U ngopëm me këtë sjellje", tha ai.

"Ne nuk mund t’i japim përgjigje popullit amerikan nëse nuk mund të marrim informacion nga Departamenti i Drejtësisë. Është koha për të kërkuar shkarkimin e zotit Rod Rosenstein" tha ligjvënësi Jim Jordan.

I pyetur nga Zëri i Amerikës një zëdhënëse e Departamentit të Drejtësisë tha se ky institucion nuk do të komentojë lidhur me këtë çështje.

Paraqitja e kërkesës për shkarkim për votim në Dhomën e Përfaqësuesve nuk pritet të ndodhë së shpejti. Anëtarët e Dhomës janë kthyer në distriktet e tyre për një ndërprerje dhe nuk pritet të kthehen në Kongres para shtatorit.

Ligjvënësi Adam Schiff, demokrati më i lartë në komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, i kritikoi përpjekjet për shkarkim.

"Përpjekja për shkarkimin e zotit Rosenstein bëhet mungesë të plotë të ndershmërisë dhe tregon se deri në ç’pikë republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve shkojnë për të mbrojtur Trump-in. Historia do t'i shënojë këta ligjvënës si bashkëpunëtorë në kërcënimin më serioz në një brez ndaj sundimit të ligjit ", tha ai.

Udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi në një përgjigje ndaj iniciativës për shkarkim, tha se partia e saj do të bënte thirrje për një votim për "sanksione të reja kundër atyre që sulmojnë zgjedhjet amerikane ", ndërsa republikanët siç tha, "e injorojnë këtë kërcënim ndaj sigurisë kombëtare dhe sulmojnë hetimin e Muellerit duke mbrojtur Trump-in nga zbatimi i ligjit."

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG