Në Shqipëri presidenti Ilir Meta i ktheu për rishqyrtim parlamentit ligjin për ndërtimin e Teatrit të ri kombëtar në Tiranë, i miratuar vetëm me votat e shumicës së majtë. Duke shpjeguar vendimin e tij, kreu i shtetit ka renditur së paku 8 argumenta se përse ligji sipas tij duhet rishikuar. Kundër ligjit është pozicionuar një pjesë e artistëve dhe shoqërisë civile ndërkohë që opozita e sheh atë si një aferë të rëndë korruptive.
Ligji i posaçëm që qeveria shqiptare propozoi për ndërtimin e Teatrit të ri kombëtar ka hapur një debat dyplanësh. Nga një anë diskutimi nëse duhet prishur apo jo godina ekzistuese, me të cilën është e lidhur historia e artit skenik shqiptar, por që vlerësohet të jetë në kushte të degraduara, dhe nga ana tjetër ai për procedurën e vecantë që është ndjekur në këtë rast dhe që përbën një aspekt me dritë-hije të shumta.
Teatri ri do të duhet të ndërtohet me fondet e shoqërisë private Fusha, së cilës në këmbim i jepen mijëra metra katrorë të tjerë për të ngritur aty, një kompleks kullash shumëkatëshe. Shpejtësia me të cilën institucionet shqiptare vepruan për të cuar përpara një projekt të tillë, angazhimi i parlamentit për të miratuar një ligj nominal për një kompani private, shmangia e një gare të hapur për zhvillimin e zonës që ndodhet në zemër të kryeqytetit, vetëm me pretendimin se kompania Fusha kishte prona në atë sipërfaqe, të cilat rezultuan më pak se 3 përqind e terrenit që synohet të shfrytëzohet, janë vetëm disa nga anët e dyshimta të këtij projekti.
Në fakt pika e parë që Presidenti Meta ka evidentuar në listën e shkeljeve që e detyruan të marrë vendimin për të kthyer pas ligjin, ka të bëjë pikërisht me shkeljen e parimit të “barazisë përpara ligjit” dhe “lirisë së veprimtarisë ekonomike të shtetasve”. Një moment që duket se i referohet qartë pikërisht përcaktimit me ligj të kompanisë që do ta realizojë projektin.
Një tjetër element problematik sipas presidentit është se ligji sipas tij “cënon rëndë parimet kushtetuese të ndërtimit dhe funksionimit të organeve të pushtetit vendor të “decentralizimit” dhe “autonomisë vendore”, duke rënë ndesh, njëkohësisht edhe me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve”. Në këtë rast duket se zoti Meta i referohet faktit që një pjesë e truallit është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, dhe se tjetërsimi i saj duhet të miratohet vetëm nga Këshilli Bashkiak.
Sipas presidentit, “ligji nuk mbështetet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe të plotë për tjetërsimin e pronës publike, krahasuar me përfitimet ekonomike të shtetit shqiptar dhe interesin publik” dhe “nuk është bazuar në një verifikim dhe vlerësim të thelluar të statusit të pasurive të paluajtshme që përfshihen në këtë projekt”. Nga ana tjetër, sipas tij , “ligji vjen në kundërshtim me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe parashikimet e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”.
Opozita ka kundërshtuar me forcë miratimin e ligjit, duke i mëshuar faktit se sipas saj jo vetëm po dëmtohet trashëgimia kulturore por, Teatri po përdoret si pretekst për të fshehur një aferë korruptive disa dhjetra milion euroshe, me ndërtimin e kompleksit të kullave në qendër të kryeqytetit.
Vendimi i sotëm i presidentit nuk duket se do të sjellë ndonjë ndryshim të qëndrimit nga ana e shumicës. Kryetari socialist i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, reagoi menjëherë duke shprehur sigurinë se parlamenti do ta rivotojë ligjin. “Teksa pritëm 40 vjet për një Teatër të ri, do presim edhe 40 ditë që Parlamenti ta rivotojë në shtator e t'i hapë rrugë projektit modern - në tokën e vet e me teknologjinë më të fundit”, shkruajti zoti Veliaj ne nje postim të gjatë në Facebook. Ai e cilësoi një “zhgënjim”, aktin e kreut të shtetit “jo sepse Presidentët, në të kaluarën, nuk janë bërë palë me partitë politike për të kundërshtuar projekte si ai i Këndit të Lodrave te Liqeni, por sepse mendova se pas 3 vitesh progres në qytetin tonë, me një Shesh të Ri, një Bulevard të Ri, një Pazar të Ri e një Unazë të Re, e kishim tejkaluar kohën e sabotimeve të qytetit dhe se ishte krijuar pjekuria për të dalë mbi partitë e mbi familjet politike në vend”, theksoi kreu i Bashkisë.
Facebook Forum