Lidhje

Pompeo në Azi - Pheniani dominon tematikat


Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përmbyll në Xhakartë udhëtimin e tij në Azinë Juglindore, sërish çështja e Koresë së Veriut ka marrë pjesën më të madhe të vëmendjes.

Zoti Pompeo u nis sot drejt Xhakartës nga Singapori, ku pati mesazhe në përziera për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut ndërkohë që vazhdojnë bisedimet për çnuklearizimin. Gjatë udhëtimit me avion drejt Xhakartës, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, i tha gazetarëve se Sekretari Pompeo dhe Ministri i Jashtëm koreanoverior Ri Yong Hu u takuan dhe shtrënguan duart gjatë sesionit të marrjes fotografisë së përbashkët të pjesëmarrësve në samit.

Sekretari Pompeo i tha homologut se “Duhet të bisedojmë sërish së shpejti” dhe në përgjigje Ministri i Jashtëm koreanoverior Ri Yong Hu tha se “Jam dakort. Ekzistojnë disa dialogje pozitive për t’u zhvilluar”.

Pas kësaj, Ambasadori amerikan në Filipine, Sung Kim, i dorëzoi zotit Ri një letër nga Presidenti Donald Trump drejtuar udhëheqësit së Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Nuk u bë e ditur përmbajtja e letrës.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se shkëmbimi mes zotit Pompeo dhe homologut të tij koreanoverior nuk ishte befasues dhe “është diçka që pritet. Pjesa më e madhe ishte pozitive dhe ky është një përmirësim nga e kaluara. Po ndërtojmë një marrëdhënie me Korenë e Veriut pas vitesh të tëra marrëdhëniesh të vështira”.

Deklarata e Phenianit

Pasi zoti Pompeo u largua nga samiti i përvitshëm i ASEAN-it (Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore) drejt ndalesës së fundit në Xhakarta, Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut bëri një deklaratë ku thuhet se vendi i tij është i përmbahet marrëveshjeve të bëra mes Presidentit Trump dhe zotit Kim gjatë samitit të Singaporit muajin e kaluar. Por, ai i quajti “alarmuese” thirrjet e Shteteve të Bashkuara që vendet të zbatojnë sanksionet ndaj Koresë së Veriut dhe se kjo nuk është çfarë dëshiron zoti Trump.

Një raport i sapopublikuar i OKB-së thotë se Koreja e Veriut ka patur “një rritje masive” të transferimit të paligjshëm të produkteve të karburantit në det të hapur, për të shmangur sanksionet e vendosura.

Në raport dokumentohen gjithashtu shkelje të embargos së vendosur ndaj eksporteve të qymyrgurit, hekurit dhe produkteve të detit që i sjellin miliona dollarë të ardhura Phenianit. Ka gjithashtu tregues se Koreja e Veriut po vazhdon të prodhojë raketa.

Sekretari Pompeo u shpreh se Shtetet e Bashkuara po ndjekin me shumë seriozitet çdo shkelje të sanksioneve. Ai madje përmendi se Rusia po ndihmon firmat e Koresë së Veriut dhe jep në masë leje pune për punëtorë sezonalë nga ky vend.

Ndërsa zoti Pompeo konfirmoi se Rusia po ndihmon shmangien e sanksioneve nga Koreja e Veriut, të premten Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara njoftoi sanksione ndaj një banke ruse që ndihmon Korenë e Veriut të shmangë masat e vendosura nga Këshilli i Sigurimit për të ndëshkuar programet e armëve bërthamore dhe të raketave balistike të Phenianit.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, banka ruse kreu transaksione në emër të Han Jang Su, kreun e Bankës së Tregtisë me Jashtë të Koresë së Veriut (FTB), e cila shërben edhe si banka kryesore e shkëmbimit të monedhave të huaja për Korenë e Veriut. Sanksionet përfshijnë edhe zëvendësin e tij, Ri Jong Won. Të dy zyrtarët koreanoveriorë banojnë në Moskë.

Departamenti i Thesarit tha se të dy zyrtarët duhet të dëbohen nga Rusia, bazuar në rezolutat e OKB-së që synojnë rritjen e presionit ndaj Koresë së Veriut për programet e saj të armatimit. Departamenti i Thesarit përfshiu në listën e sanksioneve edhe dy kompani që shërbejnë si fasadë e bankës FTB, kompaninë me seli në Kinë, “Dandong Zhongsheng Industry & Trade Co. Ltd.”, si dhe kompaninë “Korea Ungum Corporation”.

Çështja e gazetarëve të agjensisë Reuters

Përpara largimit nga Singapori, Sekretari Pompeo u takua me Ministrin e Jashtëm të Mianmarit, Kyaw Tin, të cilit i kërkoi lirimin e menjëhershëm të dy gazetarëve të agjensisë Reuters që mbahen në burg.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert tha për Zërin e Amerikës se zoti Pompeo ngriti çështjen gjatë takimit të tyre dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara për ndalimin e tyre. Gazetarët u akuzuan se kishin dokumente të lidhura me operacionet e sigurisë kundër militantëve Rohingya në shtetin Rakhinë të Mianmarit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG