Lidhje

Interesimi i bizneseve në eksplorimin e hapësirës


Kompania Space X kohët e fundit lëshoi nga Kalifornia në hapësirë një tjetër raketë me satelitë, duke nxitur edhe më tej interesin e shumë bizneseve dhe kompanive kërkimore, që tashmë e shohin hapësirën si një mundësi. Në Konferencën Globale të Institutit Milken të këtij viti, pjesëmarrësit shpjeguan arsyet se pse udhëtimi në orbitën rreth Tokës është një mision kaq emocionues.Hapësira po kthehet në një vend me shumë aktivitet.

"Është si një rilindje. Më në fund, sektori komercial po fillon të rikthehet në hapësirë, me projekte tepër interesante", - thotë Will Marshall, i kompanisë “Planet”

...Projekte që synojnë të sjellin përfitime jo vetëm për njerëzit e ardhshëm në hapësirë, por edhe për ata që jetojnë tani në Tokë.

"Kemi dislokuar rreth 200 satelitë, që çdo ditë fotografojnë Tokën. Imazhet satelitore para angazhimit tonë merreshin një herë në vit, ose një herë në disa vjet", - thotë Will Marshall nga kompania Planet.

Iazhet tregojnë ecurinë e ndërtimit të fabrikës së kompanisë Tesla, Gigafactory, gjatë një viti. Ndërsa të tjerat tregojnë një port në Egjipt.

Kjo teknologji gjen zbatim në botën reale, që ndikon drejtpërdrejt, ose tërthorazi, mbi jetën në Tokë.

"Këto të dhëna nga orbita rreth Tokës mund të përdoren për të përmirësuar rendimentet e kulturave bujqësore. Ato mund t’i ndihmojnë fermerët të vendosin se kur duhet të hidhen plehëra artificiale dhe kur duhet të ujiten kulturat e tyre bujqësore. Imazhet mund të përdoren edhe për krijimn e hartave komerciale nga kompani të ndryshme, ose nga qeveritë, për çështje si siguria e kufirit, ose reagimi ndaj katastrofave natyrore", thotë Will Marshall nga kompania Planet.

Satelitë të tjerë përdoren për qëllime të sigurisë kombëtare.

"Sapo nisëm disa muaj më parë një satelit me aftësi komunikimi me rreze lazer. Ai dërgon në Tokë të dhëna me një shpejtësi 200 megabit për sekondë; këta lloj satelitësh kanë aftësinë të komunikojnë me njëri-tjetrin. Satelitë të tillë mund të përdoren edhe për monitorimin e lagjeve, për të mirën e sigurisë kombëtare dhe për sigurinë e banorëve", thotë Steve Isakowitz nga korporata Aerospace.

Një tjetër objekt që udhëton nëpër Orbitën e Tokës është Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës, një objekt me interes të madh për disa kompani dhe institucione kërkimore. Laboratori i Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës në Shtetet e Bashkuara dhe astronautët kryejnë një gamë të gjerë eksperimentesh, që nuk do të ishin të mundura në Tokë.

"Kur hiqni vektorin e gravitetit nga ekuacioni, që përdoret këtu në Tokë, shohim disa ndikime dhe fenomene të lidhura me të, siç mungesa e depozitimitt, apo mungesa e konveksionit", thotë Jennifer Lopez nga Qendra për Përparimin e Shkencës në Hapësirë.

Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës rrotullohet rreth Tokës 16 herë në ditë, duke u ekspozuar ndaj temperaturave ekstreme dhe rrezatimit, duke krijuar një mjedis unik për eksperimente...

Disa eksperimente në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës si ky, synojnë të ndihmojnë pacientët me osteoporozë. Nga ky ekspreriment mund të përfitojnë njerëzit në Tokë, por këto gjetje mund të ndihmojnë edhe në eksplorimet e ardhshme të njerëzve nëthellësitë e hapësirës...

"Ne mund të mësojmë për ostoporozën, apo humbjen e masës së kockave apo humbjen e masës së muskujve në një mjedis hapësinor dhe efektet që mund të ketë një mjedis me mikrogravitet në sistemet tona biologjike", thotë Jennifer Lopez nga Qendra për Përparimin e Shkencës në Hapësirë.

"Ka shumë mundësi tani në hapësirë, Marsi është një prej tyre", - thotë Chad Anderson nga kompania Space Angels.

Ndërsa NASA punon për dërgimin e njerëzve në Hënë dhe në Mars, hapësira pranë Tokës dhe më gjerë do të bëhet gjithnjë e më aktive, ndërkohë që bizneset do të përfitojnë nga eksplorimi i kësaj zone të pashkelur më parë nga njeriu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG