Lidhje

Ecuria e reformës gjyqësore në Shqipëri, komentojnë analistët


Në Tiranë, ecuria e reformimit të sistemit gjyqësor është tema kryesore e debateve, ndonëse parlamenti është mbyllur për pushimet e sezonit.

Studiues të jetës politike mendojnë se një kompromis i ri mes forcave politike nevojitet për të tejkaluar bllokimin e gjykatave kryesore në vend, dhe për të mbushur boshllëqet e mëdha, nga shkarkimet e gjyqtarëve prej vetingut.

Analistët për reformën në drejtësi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00

Analistë të jetës politike në Shqipëri mendojnë se nevoja për ta pastruar sistemin gjyqësor ka qenë e hershme, dhe se reforma erdhi më tepër si rezultat i presioneve të faktorit ndërkombëtar, dhe në këtë shkallë nuk është bërë askund. Pikëpyetja është te shpejtësia e veprimeve, thotë studiuesi Afrim Krasniqi, sepse procesi është jashtëzakonisht i vonuar për më shumë se 2 vjet.

“Në kushtet kur ne flasim sot parlamenti ende nuk ka ngritur nënkomisionin e koordinimit të reformës në drejtësi, që është detyrim ligjor dhe kushtetues. Qeveria nuk ka arritur të plotësojë standartet minimale për kushtet teknike të strukturave të vetingut, dhe së fundi Kolegjit iu sigurua një mjedis jashtëzakonisht vonë, ndërkohë që ata kanë paraqitur një sërë kushtesh teknike. Dhe së treti, ende nuk është zgjidhur ende çështja e pasuesve në strukturat e lëna bosh. Nuk kemi ende një zgjidhje për shkollën e magjistraturës, nuk kemi një zgjidhje afatgjatë se çfarë do të ndodhë me arsimin juridik në Shqipëri dhe me studentët që diplomohen në vendet e zhvilluara erëndimore” - tha Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike.

Ndërsa analisti Lutfi Dervishi theksoi faktin se shumë persona nga lista e parë, gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, Krimet e Rënda dhe prokurorë u rrëzuan thjesht nga vetdeklarimet e pasurive të tyre pa ndonjë hetim të thellluar, tregon për shkallën e lartë të korrupsionit në majat e sistemit gjyqësor.

Në gjykatën e Apelit, sipas njoftimeve të tij nga ILDKPI, ka të dhëna se përjashtimet mund të jenë aq të shumta sa edhe ajo mund dalë krejt jashtë funksionit.
“Ndërtesa e vjetër e gjyqësorit po shembet, dhe nuk po ngrihet e reja, e për këtë mund të nevojitet sërish një mirëkuptim mes forcave politike. Kërkohet vullnet politik dhe një kompromis politik, sepse çështja e Magjistraturës, çështja e SPAK-ut, çështja e vakancave të krijuara do të krijojnë edhe nevojën e amendimeve ligjore për të ngritur me shpejtësi institucionet e reja” - tha zoti Dervishi.

Analistët pohojnë se kompromisi në politikë është i nevojshëm si mjet i zakonshëm pune dhe si vullnet politik për të kryer reforma themelore.

Zoti Krasniqi thotë se ishte parashikuar një vakum afatshkurtër, por jo një rrëzim kaq masiv i njerëzve, të cilët kandiduan për t’u bërë pjesë e institucioneve të reja të sistemit gjyqësor.

Ndërsa tani nga rrëzimi masiv kemi kaluar në hezitim masiv i gjyqtarëve dhe prokurorëve për të kandiduar si pjesë e institucioneve të reja, ndërsa partitë po refuzojnë të gjejnë një mekanizëm zëvendësues për boshllëqet e krijuara.

Nga ana tjetër, zoti Dervishi thotë se PD nuk po kundërshton vetingun, por po kërkon zbatimin e saktë të tij, duke shmangur standartet e dyfishta, që për shkelje të njëjta dy gjyqtarë të ndëshkohen një lloj.

Aq më tepër, gjyqtarët e gjykatave të epërme, që po përjashtohen tani, janë produkte të kompromiseve politike pozitë-opozitë, por nuk janë zgjedhur më të pavarurit dhe më të mirët në karrierë profesionale.

"Qeveria duhet të rrijë larg vetingut dhe komenteve për procesin, sepse të gjithë ata gjyqtarë që po përjashtohen nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese nuk janë më të mirët profesionalisht dhe më të pavarurit, por janë fryt i kompromiseve dypalëshe dhe i votimeve konsensuale në parlament" - tha zoti Dervishi.

Analistët shprehin shqetësimin se një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve të rrëzuar mund të ankohen në gjykatën e Strasburgut dhe do të përbëjnë një kosto shtesë për Shqipërinë.

Ndërsa një pjesë tjetër e tyre do të hyjnë në jetën politike, dhe partitë politike i kanë dyert hapur për ta, sepse dihet që partitë nuk kanë kod etike dhe as kufizime për njerëzit me probleme, që depërtojnë brenda tyre.

Studiuesit janë të shqetësuar se reforma po bëhet për pritshmërinë e ndërkombëtarëve dhe jo për shqiptarët, që kanë një pritshmëri të lartë ndaj saj.

Ndaj sa më shpejt të kryhet reforma, mendojnë ata, aq më shumë e dobishme do të jetë ajo për Shqipërinë, ndërsa vonesat do t’I dëmtojnë dhe do t’i zhgënjejnë shumë njerëzit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG