Presidenti Donald Trump i doli në mbrojtje veprimeve të Koresë së Veriut për çarmatim bërthamor. Ai i bëri komentet mbrëmë përpara drejtuesve të bizneseve në Nju Xhersi, në resortin e tij të golfit.
"Me Korenë e Veriut po ecim mirë dhe po vazhdojmë me bisedime të frutshme. Dikush mund të thotë, prit një minutë, pse nuk po ecin shpejt? Ata kanë punuar për këtë gjë për 40 vjet, ndërsa unë e nisa 3 muaj më parë. Ia dolëm të sjellim amerikanët e marrë peng, nuk ka më raketa që fluturojnë mbi Japoni, nuk ka prova bërthamore dhe kemi një marrëdhënie të mirë me Korenë e Veriut. Do të shohim si do të funksionojë më tej. Kam një përshtypje se tashmë Kina nuk është e gëzuar dhe mbase po bëjnë lojra, por do ta zgjidhim edhe atë shumë thjesht", tha zoti Trump.
Sipas presidentit Trump Peniani po respekton marrëveshjet që u bënë gjatë takimit të nivelit të lartë në Singapor në muajin qershor.
Por ky pohim bie ndesh me tonin e fortë të këshilltarit për Sigurinë Kombëtare John Bolton, i cili tha dje se Koreja e Veriut nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për çarmatim bërthamor.
Ndërkaq, Presidenti bëri një parashikim të guximshëm për ekonominë, duke thënë se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në tremujorin e ardhshëm "mund të jetë më e lartë se 5 për qind”.
Facebook Forum