Lidhje

Trump planifikon t'i heqë certifikatën e sigurisë Bruce Ohrit


Presidenti Donald Trump tha të premten se ka në plan t’i heqë certifikatën e sigurisë Bruce Ohr-it, një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë, bashkëshortja e të cilit punonte për kompaninë e përfshirë në hartimin e dosjes mbi lidhjet e Donald Trumpit me Rusinë.

Zori Trump tha se Ohr është një “turp” jashtë Shtëpisë së Bardhë dhe shtoi se “shpresoj se do ta largoj shumë shpejt”.

Ohr është nën një vëzhgim intensiv nga republikanët, për kontaktet e tij me Glenn Simpson-in, bashkëthemeluesi i firmës kërkimore të opozitës “Fusion GPS”.

Presidenti po ashtu la të kuptohet se mund t’i hiqte certifikatën e sigurisë edhe Prokurorit Special Robert Mueller, duke thënë se "…vetë zoti Mueller, gjithashtu ka shumë probleme konfliktuale”. Ai shtoi se “…megjithatë, Mueller duhet lejuar ta përfundojë raportin mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA”.

Këto komente zoti Trumps i bëri, pasi i hoqi certifikatën e sigurisë ish Drejtorit të CIA-s, John Brennan.

Ndërkohë, dymbëdhjetë ish-zyrtarë të lartë të zbulimit lëshuan një deklaratë, duke kritikuar ato që i cilësojnë "komente dhe veprime të papërshtatshme e të pashembullta nga Shtëpia e Bardhë, lidhur me heqjen e çertifikatës së sigurisë së John Brennan-it".

Deklarata vjen si reagim ndaj vendimit të marrë të mërkurën nga Presidenti Donald Trump, për t’i hequr ish-drejtorit të CIA-s zotit Brennan, çertifikatën e sigurisë.

"Veprimi i presidentit në lidhje me John Brennan dhe kërcënimet për veprime të ngjashme kundër ish-zyrtarëve të tjerë, nuk kanë të bëjë me atë se kush duhet dhe nuk duhet të mbajë çertifikatë sigurie. Gjithçka ka të bëjë me një përpjekje për të mbytur fjalën e lirë", thuhet në deklaratën e publikuar të enjten vonë.

Deklarata u nënshkrua nga gjashtë ish-drejtorë të CIA-s, pesë ish-zëvendësdrejtorë të agjencisë dhe një ish- drejtor i Shërbimit Kombëtar të zbulimit.

Presidenti Donald Trump ka thënë se John Brennan ka mbjellë “përçarje dhe kaos” për administratën e tij tek njoftoi vendimin për t’i pezulluar çertifikatën e sigurisë ish-drejtorit të CIA-s. Zoti Brennan e pati quajtur “asgjë më pak se tradhëti” daljen e Presidentit Trump në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin rus Vladimir Putin.

Më parë një ish-admiral i Marinës amerikane, i cili pati udhëhequr operacionin për vrasjen e Osama bin Ladenit, sfidoi presidentin Trump duke i kërkuar t’ia heqë çertifikatën e tij të sigurisë.

Në një letër të hapur drejtuar zotit Trump publikuar në gazetën “The Washington Post”, admirali në pension William McRaven shkruante se do ta konsideronte veprimin si ‘nder’ ”.

"Nëpërmjet veprimeve tuaja, na keni turpëruar në sytë e fëmijëve tanë, në skenën botërore dhe më e keqja, na keni ndarë si komb", thuhej ndër të tjera në letr[n e hapur të ish-ushtarakut të lartë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG