Juria, që do të marrë vendimin në gjyqin e ish-menaxherit të fushatës Trump, Paul Manafort, vazhdon edhe sot diskutimet prapa dyerve të mbyllura.
Juria, e përbërë nga 6 burra dhe 6 gra, është mbledhur në një gjykatë të Virxhinias që nga java e kaluar për çështjen Manafort, i cili akuzohet për mashtrime bankare dhe me taksat.
Në gjyqin që zgjati dy javë, prokurorët thanë se Paul Manafort fshehu miliona dollarë në parajsa fiskale për t’iu shmangur pagimit të taksave në SHBA.
Ata thanë se shumica e parave erdhën nga lobimi i bërë prej tij për ish-presidentin e rrëzuar të Ukrainës Viktor Janukoviç përpara se t’i bashkohej fushatës zgjedhore të Presidentit Trump në vitin 2016.
Mbrojtja e zotit Manafort nuk thirri në gjyq asnjë dëshmitar dhe tha se prokuroria nuk arriti të provojë mjaftueshëm fajësinë e tij.
Ky është gjyqi i parë i ndërmarrë nga ekipi i prokurorit të posaçëm Robert Mueller në lidhje me hetimin e gjerë për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit 2016.
Facebook Forum