Lidhje

Afrika e Jugut: Trump po ushqen ndarjen racore


Qeveria e Afrikës së Jugut akuzoi Presidentin Donald Trump se po ushqen ndarjen racore. Akuzat vijnë si përgjigje ndaj postimit të tij në twitter ku shkruante se fermerëve të bardhë po u merren tokat dhe po vriten.

Të martën vonë Presidenti Trump shkroi në llogarinë e tij zyrtare në Twitter se i kishte kërkuar sekretarit të Shtetit Mike Pompeo "të studiojë nga afër tokën e Afrikës së Jugut dhe konfiskimet e fermave, shpronësimet dhe vrasjet në shkallë të gjerë të fermerëve".

Postimi ishte mesa duket një përgjigje ndaj propozimit të presidentit Cyril Ramaphosa për një reformë të re agrare.

Qeveria e Afrikës së Jugut iu përgjigj zotit Trump, duke thënë se "e kundërshton plotësisht këtë perceptim të ngushtë që vetëm kërkon të ndajë kombin tonë dhe të kujton të kaluarën tonë koloniale. Afrika e Jugut do të përshpejtojë ritmin e reformës së tokës në një mënyrë të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse, që nuk e ndan kombin tonë ", thuhet në një postim.

Kohët e fundit Presidenti Ramaphosa njoftoi se do të kërkojë një ndryshim të kushtetutës që do të lejonte konfiskimin e tokës dhe rishpërndarjen e saj pa kompensim tek pronarët aktualë.

XS
SM
MD
LG