Lidhje

Shenja të rënies së ndikimit të Kishës Katolike në Irlandë


Papa Françesku ka kërkuar falje për abuzimet e kryera nga Kisha Katolike në Irlandë, por kritikët thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. Viktimat e abuzimit dhe mbështetësit e tyre u mblodhën në kryeqytetin e Irlandës të dielën për të protestuar ndaj përpjekjes së Kishës për të mbuluar dhe margjinalizuar abuzimet. Protestat pasojnë thirrjen e një zyrtari të lartë të Vatikanit për dorëheqjen e Papës për mosveprimin e tij më herët ndaj një ish-kardinali amerikan.

Më pak se 200,000 njerëz u mblodhën për meshën e Papa Françeskut në parkun Phoenix të Dublinint të dielën, krahasuar me një milion që morën pjesë në një meshë të kryesuar nga Papa Gjon Pali në vitin 1979. Organizatorët prisnin të paktën 500,000 njerëz.

Në mesazhin e tij, Papa kërkoi falje për abuzimet seksuale dhe abuzimet e pushtetit dhe ndërgjegjes, të kryera për një kohë të gjatë nga klerikët në Irlandë.

"Në një mënyrë të veçantë, kërkojmë falje për të gjitha abuzimet e kryera në institucione të ndryshme të drejtuara nga figura fetare dhe nga anëtarë të tjerë të kishës, kërkojmë falje për rastet e shfrytëzimit përmes punës fizike të shumë të vajzave dhe djemve të rinj".

Gjatë vizitës dy-ditore, Papa Françesku u takua privatisht me viktimat e abuzimit, duke përfshirë nënat që u ndanë nga fëmijët e tyre dhe u larguan nga kisha. Për shumë njerëz kjo nuk është e mjaftueshme.

"Unë mendoj se kërkimi i faljes nuk është i mjaftueshëm, duhet të ketë llogaridhënie. Njerëzit duhet t'u përgjigjen pyetjeve dhe të japin llogari për veprimet e tyre", thotë protestuesja Maggie Lawler.

Presioni ndaj Papës u shtua të dielën, kur një ish-zyrtar i Vatikanit e akuzoi atë për dështim të trajtimit të akuzave për abuzim seksual ndaj një kardinali të njohur amerikan. Theodore McCarrick, ish-kryepeshkop i Uashingtonit, dha dorëheqjen më parë këtë vit për shkak të akuzave për veprime të pahijshme seksuale në vitet e kaluara. Në një deklaratë të dielën, Kryepeshkopi Carlo Maria Vigano tha se Papa Françesku injoroi njoftimet mbi abuzimet e ish-pehskopit McCarrick dhe bëri thirrje për dorëheqjen e tij. Pretendimet e peshkopit Vigano nuk janë verifikuar dhe Vatikani nuk u përgjigj të dielën.

"Duke marrë parasysh njoftimet e sapo publikuara se ka patur dijeni për veprimet e kardinalëve të ndryshëm që kanë kryer abuzime, mendoj se kërkimi i faljes nga ana e tij ishte pa kuptim", thotë protestuesja Elaine Murphy.

Ndikimi i madh që Kisha Katolike dikur kishte mbi politikën dhe shoqërinë irlandeze ka rënë në vitet e fundit, por për kritikët kjo nuk është e mjaftueshme.

"Udhëheqësit tanë i drejtohen Kishës për mënyrën se si duhet organizuar gjërat. Ne ua kemi lënë në dorë kishës fëmijët tanë dhe sistemin tonë arsimor. Spitalet tona ende janë të bazuara në etikën katolike në vend se të bazohen në shkencë dhe në atë çfarë ne e dimë se është më e mirë për popullin tonë", thotë protestuesi Ronan Moore.

Në muajin maj, irlandezët votuan kundër doktrinës katolike, duke shfuqizuar shumicën e kufizimeve ligjore për abortin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG