Lidhje

Uashingtoni shkurton fondet për refugjatët palestinezë


FILE - U.S. embassy staff hang a banner on a truck loaded with humanitarian aid before it is sent to Lebanon from Amman, Jordan, August 31, 2006.

Refugjatët palestinezë janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se po shkurtojnë fondet për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë. Administrata e Presidentit Trump ka kritikuar organizatën për zgjerimin e komunitetit të atyre që përfitojnë, pa zgjidhur problemet e tyre. Agjencia e OKB-së ka hedhur poshtë me forcë akuzat se po e ushqen krizën e refugjatëve dhe po fajëson komunitetin ndërkombëtar se nuk po arrin një zgjidhje paqësore të konfliktit izraelito-palestinez.

Mbi 100 mijë refugjatë jetojnë në kampin Baqa, në Veri të Amanit, kryeqytetit të Jordanisë. Disa prej tyre kanë qenë aty që nga viti 1968, kur u hap kampi dhe shumë të tjerë kanë lindur këtu.

"Kampi ka shumë njerëz. Ku do të shkojnë, si do të jetojnë, si do të hanë, si do të arsimohen fëmijët pa shkollat e agjencisë së ndihmave?”, thotë refugjatja palestineze, Zeinab Al-Ardaba.

Baqa është vetëm njëri nga kampet e refugjatëve palestinezë në Jordani, Liban dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, që financohen nga agjencia e OKB-së. Kontributi amerikan përbën rreth një të tretën e fondeve të agjencisë. Humbja e tij, e rëndon barrën e një organizate në vështirësi financiare.

"526,000 fëmijë që shkojnë çdo ditë në shkollë falë kësaj agjencie, 1.7 milionë vetë që nuk e kanë të sigurt ushqimin, 1 milion prej të cilëve janë në Gaza, 3.5 milionë që vijnë në klinikat shëndetësore, ata janë njerëzit me më shumë gjasa për të vuajtur për shkak të këtij vendimi për të ardhur keq”, thotë Chris Gunness, zëdhënës i UNRWA-s .

Administrata e Presidentit Trump njoftoi se do ta ndërpresë kontributin e vetëm duke përmendur si arsye mungesën e efiçensës së agjencisë. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e përshëndeti vendimin.

"Shtetet e Bashkuara bënë diçka shumë të rëndësishme duke ndalur financimin për agjencinë që krijon më shumë refugjatë, të njohur si UNRWA. Më në fund po fillon ta zgjidhë problemin."

Kreu i agjencisë, Pierre Krähenbühl i mohoi me forcë akuzat për paaftësi të agjencisë.

“Është dështimi i plotë i palëve dhe komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e këtij konflikti, arsyeja që refugjatët palestinezë vazhdojnë të jenë refugjatë, pas 70 vjetësh. UNRWA nuk është shkaktare. Politika duhet të intensifikohet për të zgjidhur konfliktet, nuk duhen fajësuar organizatat humanitare për vazhdimësinë e konflikteve të tilla”.

Rreth 750 mijë vetë u detyruan të linin vendin dhe shtëpitë e tyre gjatë formimit të shtetit të Izraelit para 70 vjetësh. Si rezultat i konflikteve pasuese dhe lindjeve, ai numër është rritur deri në 5 milionë. Ata që humbën shtëpitë gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1948 dhe pasardhësit e tyre gëzojnë të drejtën të marrin ndihmë ndërkombëtare. Shumë refugjatë thonë se do të preferonin të shkonin në shtëpitë e tyre sesa të jetonin me ndihma. Por Izraeli e ka bërë të qartë se nuk do të rikthejë asnjë nga shtëpitë ose tokën që ka pushtuar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG