Në ditën e dytë të operacionit policor ”Forca e Ligjit”, që po zhvillohet në qytetin e Shkodrës kundër grupeve me veprimtari kriminale, policia e shtetit bëri të ditur arrestimin e katër personave, si të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale si dhe sekuestrimin e disa armëve, municioneve luftarake dhe materiale të tjera që përdoreshin nga këto grupe.
Në një konferencë për shtyp, të zhvilluar në mjediset e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Shkodrës, zv. drejtoresha e përgjithshme e policisë së shtetit, Aida Hajna, bëri të ditur se, pas një hetimi intensiv disa mujor mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në Qarkun Shkodër si dhe në funksion të hetimeve të ngjarjeve të fundit kriminale të ndodhura në këtë qytet, jane arrestuar Ilir Rustemi (Bajri), Emrah Plaku, Astmer Bilali dhe Erogen Brajoviç si dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Zv. drejtoresha Hajna tha gjithashtu se operacioni policor, me mbështetjen edhe të forcave speciale të policisë, është në vazhdim e sipër duke paralajmëruar edhe arrestime të tjera.
Gjatë tre muajve të fundit, në këtë qytet janë kryer 6 vrasje, 5 prej të cilave dyshohet se kanë lidhje me larje të hesapeve mes grupeve kriminale. Ndërkohë, që nga data 22 gusht, në qytetin e Shkodrës figurojnë të zhdukur edhe dy persona, për jetën e të cilëve ende nuk ka asnjë njoftim. Deri tani, asnjë prej këtyre ngjarjeve të rënda nuk është zbardhur nga policia dhe kjo ka shtuar pasigurinë dhe hamendjet në qytet.
Operacioni policor “Forca e Ligjit” nisi në Shkodër në orët e para të ditës së mërkurë pasi opozita e bashkuar bojkotoi të hënën hapjen e sesionit të ri parlamentar duke zhvilluar në Shkodër një mbledhje, të cilësuar prej saj si të jashtëzakonshme “për të dërguar një mesazh qëndrese ndaj krimit që ka goditur Shkodrën”, krim që, sipas opozitës, ka mbështetjen e strukturave të shtetit.
Ndërkohë, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj e cilësoi qendrimin e opozitës së bashkuar si “një sulm agresiv i qëllimshëm, për të krijuar një perceptim të gabuar rreth rendit dhe sigurisë në vend dhe padyshim për të nxirë imazhin e vendit dhe të policisë”.
Gjatë 28 viteve të fundit, Shkodra është renditur ndër qytetet me një numër të lartë të vrasjeve, kryesisht për gjakmarrje apo për vepra të tjera penale, por vrasjet e muajve të fundit në këtë qytet dyshohet se lidhen me përplasjet dhe veprimtarinë e grupeve kriminale, që pas vetes kanë pasur dhe kanë edhe mbështetjen e të dy krahëve të politikës.
Facebook Forum