Lidhje

"Çështja Shullazi" trazon Krimet e Rënda


Procesi gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit dhe tre personave të tjerë të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal ka shkaktuar kaos dhe tensione në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Refuzimi i një grupi prokurorësh për procedurat e zëvendësimit të kolegut të tyre që ndiqte çështjen, çoi në kërkesën për hetim disiplinor ndaj tyre nga ana e Kryeprokurores Arta Marku. Ky vendim u cilësua në kundërshtim me ligjin, ndërkohë që përmes një deklarate zonja Marku shpjegoi se prokurorët kanë vepruar në kundërshtim me detyrimet e tyre kushtetuese

Çështja Shullazi krijon kaos në Krimet e Rënda
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:10 0:00

Një leje afatgjatë e marrë nga prokurori i “Çështjes Shullazi”, Ened Nakuçi, “për arsye shëndetësore”, ka hapur një përplasje të fortë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Zëvendësimi i tij ka sjellë tensione, pasi drejtuesja Donika Prela ka thirrur dy ditë më pare, 10 prokurorë duke kërkuar hedhjen e shortit për caktimin e atij që do të përfaqësojë akuzën në Gjykatë. Prokurorët e kanë cilësuar të paligjshme një procedurë të tillë duke saktësuar se ata nuk ishin njoftuar për objektin e mbledhjes dhe se “hedhja e shortit, dhe ideja vijuese për krijimin e një grupi hetimor prej 4 prokurorësh në gjykimin e një çështjeje penale, vinte në momentin kur çështja në fjalë ndodhej në fazën e diskutimeve përfundimtare, dhe grupet hetimore krijohen në fazën e hetimit dhe jo në fazën e gjykimit, aq më pak në fazën e diskutimeve përfundimtare”, shpjegojnë prokurorët në një letër të bërë publike sot. Për më tepër, thuhet në letrën e tyre “prokurori Besim Hajdarmataj kishte shprehur me shkrim vullnetin e tij, për të vazhduar përfaqësimin e çështjes në fjalë, pranë gjykatës kompetente”.

Refuzimi u pasua me kërkesën e djeshme të Prokurores së Përgjithshme Arta Marku për nisjen e një hetimi disiplinor ndaj të gjithë grupit të prokurorëve. Përmes një deklarate, zonja Marku sqaroi sot pasdite se “prokurorët kanë vepruar në kundërshtim me ligjin që i detyron të jenë pjesë e shortit, për sa kohë janë prokurorë të asaj prokurorie, duke vepruar në kundërshtim të hapur me detyrimin kushtetues”. Zonja Marku thekson më tej se “nuk mund të rri duarkryq kur prokurorët e shtetit refuzojnë të ushtrojnë funksionet e tyre kushtetuese dhe ligjore. Çdo prokuror që refuzon të bëjë detyrën do përballet me përgjegjësi disiplinore, por edhe penale sipas rastit”.

Një ditë më parë, zonja Marku urdhëroi dhe transferimin në Prokurori më të ulta, të tre prokurorëve të Krimeve të Rënda, mes të cilëve dhe Besim Hajdarmataj, i cili deri para disa kohësh ishte drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda dhe pjesë e grupit që po heton ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Edhe ky vendim është konsideruar nga Prokurorët e Krimeve të Rënda si “antiligjor, me natyrë ndëshkuese” dhe që sipas tyre “cënon tërësisht pavarësinë e magjistratëve duke krijuar një precedent të rrezikshëm”.

Për situatën e krijuar ka reaguar dhe politika

Clip “Shoh që është marrë një masë dhe ka patur një përgjigje për situatën në Prokuroinë e Krimeve të Rënda dhe me duket një masë mëse e natyrshme dhe mëse e ligjshme në të tilla situate”, deklaroi deputetja socialiste Ermonela Felaj, kryetare e Komisionit Parlamentar të Sigurisë.

Por për kryetarin e opozitës Lulzim Basha

Clip “Prokurorja e kapur politike, shërbëtorja e Edi Ramës, me një të rënë të lapsit, ka lënë pa prokuror të çështjes, çështjen e Saimir Tahirit dhe çështjen e Emiliano Shullazit. Siç kemi paralajmëruar, roli i saj është të shkatërrojë hetimet kryesore të politikanëve të lidhur me krimin dhe të banditëve të lidhur me politikën”.

Drejtuesit e dy grupeve parlamentare të opozitës kanë bërë sot dhe kallzim penal ndaj zonjës Marku. Por kjo e fundit në deklaratën zyrtare thekson se vendimmarrja e saj “ nuk ka cënuar asnjë çështje, qoftë në hetim apo në gjykim, në Prokurorinë për Krime të Rënda. Për çështjen Shullazi ku një grup i caktuar prokurorësh refuzuan të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe ligjore, është caktuar një grup prokurorësh për të përfaqësuar akuzën në gjykim. Po ashtu, një grup tjetër prej 4 prokurorësh po merret me çështjen Tahiri, nga momenti i regjistrimit të saj”, saktëson zonja Marku.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG