Lidhje

Mekanizëm i posaçëm financiar për Iranin, megjithë sanksionet amerikane


Pesë vendet anëtare të mbetura pjesë e marrëveshjes bërthamore të Iranit kanë rënë dakort të krijojnë një sistem të veçantë pagesash që do t’i lejojë kompanitë të vazhdojnë biznesin me regjimin iranian, duke anashkaluar sanksionet e reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara. Të dërguarit e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë, Kinës dhe Iranit njoftuan krijimin e një “mekanizmi me objektiv të posaçëm” që do të krijohet në kuadrin e Bashkimit Evropian.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, foli për gazetarët pas njoftimit të marrëveshjes.

“Pjesëmarrësit mirëpritën propozimet praktike për të mbajtur dhe zhvilluar kanale pagesash, në veçanti iniciativën për krijimin e një mekanizmi me objektiv të posaçëm që do të lehtësojë pagesat për eksportet iraniane, përfshirë karburantin dhe produktet që ndihmojnë operatorët ekonomikë që po krijojnë fije bashkëpunimi me Iranin”, njoftoi zonja Mogherini.

Zonja Mogherini tha se marrëveshja financiare synon gjithashtu të ruajë marrëveshjen e arritur në vitin 2015 me Iranin për reduktimin e programit të tij bërthamor në shkëmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Marrëveshja ishte arritur nën ish-Presidentin Barack Obama, por pasardhësi i tij, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja në maj të këtij viti, duke thënë se ajo nuk përfshinte programin e raketave balistike të Teheranit dhe influencën e tij në Lindjen e Mesme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG