Lidhje

Ekspertiza: Xhisela Maloku me shenja dhune


Komisariati i Krujes
Komisariati i Krujes

Në Shqipëri ekspertiza mjeko ligjore e Xhisela Malokut, vajzës e cila kishte denoncuar për ushtrim dhune Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rrahja, ka zbuluar se ajo ka patur shenja djegie dhe goditje me mjete të forta

Përmbajtja e ekspertizës u bë publike sot nga televizioni “News 24”. Bie në sy fakti se ndonëse vajza i është nënshtruar ekspertizës ditën që ajo ka deklaruar se është keqtrajtuar nga ish i dashuri Rraja, në muajin korrik, rezultatet i kanë kaluar prokurorisë vetëm një ditë më parë, pasi mbi ngjarjen shpërthyen polemika nga denoncimi i një ish nënkomisari të policisë së Krujës Emiljano Nuho. Prokuroria e cila kishte nisur hetimet mbi rastin, thirri sot në pyetje të afërm të vajzës, e cila disa herë kishte bërë denoncim ndaj Rrajës por më pas e kishte tërhequr, për shkak të frikës, siç ka pohuar ajo vetë në dëshminë e bërë në Polici në muajin korrik.

Ndërkohë, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka nisur një hetim lidhur me veprimet e policisë në trajtimin e rastit të Xhisiela Malokut si dhe rreth deklarimeve të ish nënkomisarit Nuho se ai është kërcënuar në mjediset e komisariatit për të mos arrestuar djalin e deputetit socialist.

Mbrëmjen e së premtes zëvendës drejtoresha e Përgjithshme e Policisë, Aida Hajnaj tha se pas denoncimit të Malokut në Komisariatin 3 të Tiranës, pasditen e 21 Korrikut, çështja i ka kaluar në të njejtën ditë stacionit të policisë së Fushë Krujës, ku ajo është thirrur nga oficeri i Policisë gjyqësore Gentian Çitozi i cili “nuk ka vepruar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale për marrjen në pyejtje të një shtetasi” e për pasojë “oficeri Çitozi është pezulluar nga eprorët e tij, në këtë rast nga Shefi i Komisariatit dhe është referuar në Prokurori nga SHÇBA”.

Zonj Hajnaj ka shpjeguar më tej se “Ditën e hënë më datë 23.07 2018 çështja e shtetases Maloku është referuar në Prokurori. Në këtë moment çështja kaloi nën kompetencë të Prokurorisë dhe prokurorja duke e patur tanimë çështjen nën kompetencën e saj, vendosi që këtë procedim t’ia kalojë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme oficerit të policisë Emiljano Nuhu, në datën 27.07.2018”. Ky i fundit, sipas drejtueses së Policisë “në zbatim të urdhërit të delegimit nga Prokurorja nga 11 detyra ka zbatuar vetëm 4 prej tyre. Në asnjë prej këtyre detyrave të zbatuara, nuk është kryer marrja në pyetje e personit nën hetim Rexhep Rraja”.

Nga ana tjetër, zonja Hajna theksoi se “pavarësisht kërkesës për heqje dorë nga kallzimi i vet shtetases Maloku dhe kërkesës për ta tërhequr denoncimin, drejtuesi i Komisariatit të Policisë Krujë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij kallëzimi dhe duke vlerësuar faktet dhe rrethanat e tjera të lidhur me to, nuk ka lejuar ndërprerjen e hetimit. Policia e Shtetit – vijoi më tej ajo - i ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe çështja është tashmë nën hetim nga Prokuroria”.

Më herët, drejtoresha e SHÇBA-së, Anila Trimi duke folur në detaje për verifikimet e bëra lidhur me pretendimet e ish nënkomisarit Nuhu, shpjegoi se ky i fundit se vetëm në datë 27 korrik ai është ngarkuar me hetimin e çështjes, dhe se personat e përmednur prej tij se e kanë kërcënuar në mjediset e Komisariatit më 21 korrik “nuk kanë qenë prezent në ambientet e Stacionit të Policisë së Shtetit në Fushë Krujë, as në këtë datë dhe as në ndonjë datë tjetër të mëvonshme”.

Sipas SHÇBA-së, nënkomisar Nuhu, rezulton të ketë bërë një sërë shkeljesh, dhe se ajo “po shqyrton me imtësi të gjitha rrethanat e tjera, pretendimet si dhe ligjshmërinë e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të këtij ish-punonjësi policie, të personave të lidhur me të si dhe veprimet apo mosveprimet e eprorëve të tij”, u shpreh në deklaratën e saj drejtoresha Trimi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG