Lidhje

Mattis takohet në Paris me homologen e tij franceze


Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis bisedoi në Paris me homologen e tij franceze Florence Parly mbi përpjekjet e përbashkëta ushtarake në botë.

Në bisedime u diskutuan përpjekjet për të luftuar terrorizmin në botë, duke përfshirë masat për t'i dhënë fund konfliktit në Siri dhe për të ruajtur një front të fortë të bashkuar midis aleatëve në Evropë.

Gjatë një konference të përbashkët me zonjën Parly, sekretari Mattis u pyet për mbështetjen e SHBA për operacionet franceze në Mali, ku militantët kanë vënë në shënjestër trupat maliane dhe franceze si dhe objektiva të tjerë të rëndësishëm.

Zoti Mattis tha se SHBA nuk do të ndryshojnë mbështetjen me inteligjencë dhe logjistikë për këtë mision në Afrikë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes e ka rishikuar praninë e tij ushtarake në Afrikë pas një prite vitin e kaluar në Niger ku u vranë katër ushtarë amerikanë dhe katër të Nigerit.

Sekretari Mattis gjithashtu e siguroi homologen Parly si dhe aleatët e tjerë të NATO-s se angazhimi i SHBA ndaj aleancës transatlantike mbetet i fuqishëm dhe i paprekur. Ai tha se çdo aleat i NATO-s është "i vetëdijshëm" ndaj realitetit të sjelljes së keqe të Rusisë dhe se ata e kuptojnë se paqja dhe sundimi i ligjit ruhen më mirë me anë të forcës dhe të unitetit.

Sekretari Mattis do të jetë të mërkurën në Bruksel për një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG