Zëri i Amerikës njoftoi të enjten se ka pushuar ose ka propozuar pushim për më shumë se gjysmën e personelit të Shërbimit në Gjuhën Hausa pas një procesi hetimor që zbuloi se disa individë kishin pranuar pagesa të papërshtatshme nga një zyrtar i huaj në Afrikën Perëndimore.
Amanda Bennett, drejtoresha e Zërit të Amerikës, njoftoi personelin e agjencisë për vendimin për pushime përmes një emaili. Zonja Bennett tha se kjo masë u mor pas një sërë procesesh paralele hetimore nga stafi i Zërit të Amerikës dhe nga Zyra e Inspektorit të Brendshëm pas "akuzave për sjellje të papranueshme nga pjesëtarë të shërbimit në gjuhën hausa, ku përfshihej pranimi i shumave me para nga një zyrtar në zonën ku shërbim transmeton".
Shërbimi në Gjuhën Hausa transmeton në një zonë të Afrikës me 20 milionë banorë, kryesisht në Nigeri, Niger, Ganë, Çad dhe Kamerun.
Pjesa tjetër e ekipit thanë se 15 individët, përfshirë shefin e shërbimit (i cili nuk dyshohet se ka marrë personalisht pagesa) ishin bllokuar tek hyrja e ndërtesës, u ishin marrë kartat e identifikimit që nxjerr agjencia dhe u ishte dhënë një letër ku njoftoheshin për pushim nga puna.
Individë nga Divizioni Afrikan i Zërit të Amerikës thonë se hetimet nuk kanë zbuluar dëshmi se këto pagesa kanë ndikuar në ndonjë formë tek mbulimi gazetaresk i Zërit të Amerikës. Drejtoresha Bennett tha në emailin e saj se është hapur një tjetër proces hetimor për të zbuluar nëse përmbajtja e transmetimeve të shërbimit është ndikuar në ndonjë formë. "Nëse zbulohet ndonjë ndikim i tillë, do të merremi me problemin menjëherë dhe në mënyrë transparente".
Një zyrtar i lartë i Zërit të Amerikës tha se pagesat ishin bërë në zyrat e Zërit të Amerikës në Uashington, ose pranë tyre.
Drejtori i Divizionit Afrikan tha se punonjësit e Zërit të Amerikës "e kanë krejt të qartë se kjo është e palejueshme".
Një zyrtar në Ambasadën Nigeriane në Uashington nuk pranoi të bënte komente mbi pushimet, duke thënë se kjo është çështje e brendshme e Zërit të Amerikës.
Facebook Forum