Lidhje

Analisti: Protestat në Ingusheti reflektim i çështjeve të pazgjidhura në Kaukaz


Protestat kundër shkëmbimit të territoreve me Çeçeninë vazhduan edhe të hënën në Ingusheti, një nga republikat e paqëndrueshme të Kaukazit rus. Mijëra protestues u mblodhën për të pestën ditë me radhë në kryeqytetin e vendit Magas, duke bërë thirrje për dorëheqjen e udhëheqësit të vendit Yunus-Bek Yevkurov lidhur me një marrëveshje për kufirin që ai ka nënshkruar me homologun e tij çeçen Ramzan Kadyrov më 26 shtator, e cila u miratua të enjten edhe nga parlamenti ingush. Një analist thotë për Zërin e Amerikës se pakënaqësitë që vlojnë prej një kohësh në Kaukazin rus, përbëjnë një kërcënim për rajonin si dhe pjesën tjetër të Euroazisë. Zlatica Hoke njofton.

Shkëmbimi i territoreve kishte për qëllim t'i jepte fund tensioneve territoriale që u shfaqën pas rënies së Bashkimit Sovjetik të vitin 1991. Të dy rajonet ishin pjesë e Republikës Autonome Socialiste Sovjetike të Çeçeni-Ingushetisë të cilat u ndanë një vit pas rënies së ish-Bashkimit Sovjetik. Por në vend që t'i jepte fund tensioneve, shkëmbimi i territoreve i zemëroi ingushetianët.

"Jemi të zemëruar pasi udhëheqësit e dy rajoneve vendosën të shkëmbejnë territore pa e pyetur popullatën", thotë Khamid Azhgov, banor i Ingushetisë.

Protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e kreut të shtetit Yunus-Bek Yevkurov,duke mbështetur pohimin se shkëmbimi është i dëmshëm për rajonin e tyre dhe i dobishëm për Çeçeninë.

"Duam që territori ynë të mbetet i yni. Ishte i yni më parë dhe duam të qëndrojë kështu", thotë Vakha Akhilgov, banore e Ingushetisë.

Udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov gëzon mbështetjen e Moskës për shkak se ka qenë në gjendje të mbajë nën kontroll rajonin e paqëndrueshëm. Por ai po punon gjithashtu për të patur një rol dominues në Kaukaz thotë analisti Peter Eltsov.

"Ai ndihet si të ishte mbreti i Kaukazit verior dhe nuk i bindet asnjë ligji. Ai është besnik vetëm i Vladimir Putinit dhe për këtë arsye mendon se mund të bëjë çfarë të dojë. Dhe sigurisht kufijtë në këtë pjesë të ish-Bashkimit Sovjetik janë jashtëzakonisht arbitrare", thotë ai.

Kaukazi është shtëpia e më shumë se 50 grupeve etnike me çeçenët si grupi më i madh. Shumë prej këtyre grupeve nuk kanë kufijtë apo qeveritë e tyre dhe shumica jetojnë në varfëri. Gjatë epokës së Stalinit ata u përballët me spastrime. Pas viteve 1990 Moska ka zhvilluar dy luftëra të mëdha kundër separatistëve çeçenë dhe aktualisht e mban të gjithë rajonin e Kaukazit verior nën kontroll të rreptë. Dhuna mund të shpërthejë në çdo moment në Kaukaz thotë Peter Eltsov.

"Kaukazi i veriut është jashtëzakonisht i paqëndrueshëm. Mund të shkaktojë një luftë të madhe në të gjithë Euroazinë apo së paku shpërbërjen e federatës ruse".

Padrejtësitë e rrënjosura thellë e bëjnë atë një terren tërheqës për terroristët. Grupet e të drejtave dhe qeveritë perëndimore përfshirë Shtetet e Bashkuara i kanë dënuar abuzimet me të drejtat e njeriut dhe mungesën e lirive themelore në Kaukazin rus.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG