Lidhje

Shqipëri: lëvizje intensive të popullsisë brenda dhe jashtë vendit


Population Movement
Population Movement

“Gjatë vitit 2017, vetëm dy qarqe në Shqipëri, Tirana dhe Durrësi, kanë pësuar rritje në numrin e popullsisë”, vlerësohet në Vjetarin Statistikor Rajonal të publikuar të mërkurën nga Instituti shqiptar i Statistikave. Sipas të dhënave zyrtare në 12 Qarqet e vendit vetëm dy Qarqet Tiranë dhe Durrës kanë koeficientin bruto të ndryshimit të popullsisë pozitiv, respektivisht 24,8, dhe 16,7 për mijë banorë, ndërsa në Qarqet e tjerë ky tregues është negativ. Sipas INSTAT në vitin 2013 Qarku Tirane numëronte 807.244 banorë ndërsa në vitin 2017 numëron 873.178 mijë banorë. Po kështu Durrësi në vitin 2013 numëronte në nivel qarku 275. 045 mijë banorë ndërsa në vitin 2017 numëron 287. 226 mijë banorë. Sipas vlerësimit të INSTAT në ndryshimet në popullsinë e qarqeve, përveç dy komponentëve, shtesës natyrore dhe migracionit neto, një rol kryesor luajnë edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë. Vjetari statistikor vlerëson se migracioni i brendshëm në Shqipëri është më së shumti sinonim i urbanizimit. Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë ndryshuar vendbanimin në pesë vitet e fundit, thuhet në botim, kanë lëvizur në qendrat urbane, që në shumicën e rasteve, përfshin kryeqytetin, Tiranën, ose zonat përreth tij”. Sipas të dhënave në të dy Qarqet Tiranë dhe Durrës është rritur edhe Dendësia e Popullisë për kilometër katrorë. Kështu Qarku i Tiranës i cili përfshin edhe kryeqytetin e Shqipërisë ka dendësinë më të lartë me 529 banorë për km2, ndërsa Qarku i dytë me dendësinë më të lartë është Durrësi me 375 banorë për km2 i ndjekur nga qarku i Fierit me 159 banorë për km2. Ndërkohë sipas INSTAT Qarqet e Gjirokastrës, Dibrës dhe Kukësit janë zonat të cilat kanë një balancë të thellë negative të migracionit të brendshëm pasi këto qarqe përjetojnë flukse shumë më të larta dalëse të popullsisë sesa flukse hyrëse. Gjirokastra ka një normë bruto të migracionit neto të brendshëm shumë të ulët –34,3, Dibra -33,7dhe Kukësi -25,8 për mijë banorë. Në vitin 2013 Qarku i Gjirokastrës numëronte 72.550 banorë ndërsa në vitin 2017 numëron 64.446. Po kështu Qarku Dibër numëronte në 2013 rreth 136. 027 mijë banorë, ndërsa në vitin 2017 numëron 123 279 banorë. Dëndësia më e ulët e popullsisë përqendrohet në Qarkun e Kukësit në verilindje dhe Qarkun e Gjirokastrës në Juglindje ku është nën 40 banorë për km katror. Sipas INSTAT Qarku Gjirokastër ka dhe dendësinë më të ulët në territorin e Shqipërisë, rreth 22 banorë për km katror.

Popullsia e Shqipërisë po shkon drejt procesit të plakjes

“Popullsia e Shqipërisë po shkon drejt procesit të plakjes si pasojë e uljes së lindshmërisë dhe rritjes së jetëgjatësisë dhe për më tepër emigracionit i cili vazhdon të mbetet veprues dhe që përfshin një popullsi relativisht të re”.Ky vlerësimi i Vjetarit Statistikor Rajonal përfshin strukturën e popullsisë aktuale në Shqipëri. Sipas të dhënave në vitin 2017, në totalin e popullsisë mesatare të Shqipërisë, të rinjtë 0-14 vjeç zënë rreth 17,9 % të popullsisë, ndërsa popullsia në moshë pune 15-64 vjeç zë rreth dy të tretat (68,7 %) të popullsisë, duke lënë kështu vetëm 13,3 % të popullsisë për popullsinë në moshën 65 vjeç e lart. Në Shqipëri llogariten mesatarisht 10,7 lindje për mijë banorë gjatë vitit 2017 ku vlera më e lartë arrihet në qarkun e Kukësit dhe Dibrës me 13,9 lindje për mijë banorë. Qarku i Vlorës regjistron normën më të ulët në vend me 8,4 lindje për mijë banorë në vitin 2017, ndërsa Qarqet si Gjirokastra, Korça dhe Shkodra kanë gjithashtu norma bruto të lindjeve më të ulëta se 10 lindje për mijë banorë në vitin 2017.Popullsia mesaatre e Shqipërisë në vitin 2017 ishte 2.873.457 banorë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG