Lidhje

Dita e dytë e zgjedhjeve në Afganistan


Sot është dita e dytë e zgjedhjeve parlamentare në Afganistan, duke i dhënë njerëzve të cilët nuk mundën të votonin dje, një tjetër mundësi. Zgjedhjet parlamentare të së shtunës në Afganistan thuhet se janë shoqëruar nga sulme sporadike gjatë gjithë ditës, së bashku me njoftimet për rradhë të gjata dhe miliona njerëz që hodhën votën.

Rreth 132 vëzhgues nga vende të ndryshme dhe Bashkimi Evropian janë bashkuar me rreth gjysmë milionë vëzhgues vendas.

“Për shkak të arsyeve të sigurisë, si dhe një sulmi vetëvrasës me bombë që ndodhi pranë një qendre votimi, zgjedhjet u shtynë dje. Disa prej vëzhguesve tanë u plagosën, disa këmbë e duar u thyen” thotë Diba Torabi.

Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se tre milionë njerëz votuan të shtunën, por sfidat nuk kanë munguar, duke përfshirë mbylljen e disa qendrave të votimit dhe problemet teknike me pajisjet.

Të paktën 15 persona u vranë dhe 60 të tjerë u plagosën kur një vetëvrasës u përpoq të hynte në një qendër votimi në Kabulin verior.

Talebanët kishin lëshuar paralajmërime të përsëritura për sulme ndaj qendrave të votimit dhe në të gjitha aktivitetet e lidhura me zgjedhjet. Kërcënimet, megjithatë, nuk ishin të mjaftueshme për të mbajtur shumë votues të regjistruar larg kutive të votimit.

Rezultatet përfundimtare nuk do të mësohen për disa javë.

Këto janë zgjedhjet e para, që nga rënia e Talebanëve, që organizohen kryesisht nga qeveria afgane.

Më shumë se 2,500 kandidatë po konkurrojnë për 249 poste në parlamentin e ardhshëm. Ndër to, 400 kandidate janë gra, të cilat konkurrojnë për 68 vendet e rezervuara për gratë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG