Ky mund të jetë muzeu i vetëm në botë i cili shfaq jetën e fëmijëve që u rritën gjatë luftërave. I themeluar në vitin 2017 në Sarajevë, dy dekada pas përfundimit të Luftës së Bosnjës, Muzeu i Fëmijërisë në Luftë u hap së fundmi në Uashington. Korerspondentja e Zërit të Amerikës Azra Dolberry foli me të mbijetuarit e luftës dhe organizatorët, se përse bota ka nevojë të mësojë më shumë rreth viktimave më të pafajshme të luftës.
Është një muze i ri – ashtu si vetë mosha e subjekteve të ekspozitës. Ekspozita e Muzeut të Fëmijërisë në Luftë e hapur në Uashington, përmban sende personale, dokumente dhe historitë e fëmijëve që u rritën në kohën e luftës. Midis tyre – Melina Selimbegoviç e cila mbërriti në Amerikë me pak më shumë se rrobat që kishte veshur.
“Ne jemi refugjatë nga Bosnja; kemi ardhur këtu në vitin 1993. Do të mbaj përgjithmonë përzemër një send shumë të çmuar për mua. Është një batanije që kam sjellë me vete kur kam ardhur në këtë vend me një qese plastike, një batanije dhe një arush lodër që ia dhashë vajzës sime. Ato janë gjëra të çmuara për mua”.
Muzeu u jep më të rinjve të mbijetuar të luftës një shans për të ndarë historitë e tyre me botën.
“Kur dëgjova herën e parë që ishte rreth fëmijëve të mbijetuar të luftës, më la shumë përshtypje. dhe mendoj se më shumë njerëz duhet të dinë për këtë ekspozitë”.
“Zakonisht dëgjohet rreth diçkaje tjetër,por jo shumë rreth përvojës së fëmijëve. Kjo ekspozitë me të vërtetë thekson shpresën dhe mbijetesën”.
Phally Budok, e cila u arratis nga gjenocidi në Kamboxhi, lindi në një familje të madhe. Por vetëm katër anëtarë të familjes së saj mbijetuan: Phally, dy motrat e saj dhe nëna e tyre.
“Kam sjellë një raport të historisë gojore në lidhje me përvojën time gjatë luftës. Është e rëndësishme ta ndaja me të gjithë këtu...duhet rritur ndërgjegjësimi rreth fëmijërisë gjatë konflikteve. Unë jam një prej atyre njerëzve; i kam mbijetuar luftës gjatë regjimit Khmer Rouge në Kamboxhia, në mesin e viteve ‘70. Isha vetëm 5 vjeç”.
Që kur u hap në Sarajevë, muzeu ka mbledhur objekte të fëmijëve të luftërave nga Siria në Ukrainë dhe ka mbajtur kontakte të ngushta me të mbijetuarit boshnjakë dhe kamboxhianë në Shtetet e Bashkuara. Themeluesi i muzeut dëshiron të bashkëpunojë me muze të tjerë amerikanë për të krijuar një prani më të përhershme në Amerikë.
“Shpresoj që ky aktivitet të jetë fillimi i rritjes së pranisë tonë në Shtetet e Bashkuara. Kudo që të shkojmë, njerëzit e pranojnë se është një projekt universal që nuk duhet të kufizohet vetëm në Bosnje”.
Të mbijetuarit thonë se përvojat e tyre janë universale. Dhe ky është mesazhi i tyre për vizitorët.
“Ndoshta nuk mund t’i lexojnë fjalët ose të kuptojnë emocionet, por shohin këpucët e baletit, shohin lodrat dhe nëna mund t’u tregojë fëmijëve se edhe fëmijët përjetojnë luftën. Duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë”.
Edhe pse është e rëndësishme ndarja e historive të tyre rreth luftës, të mbijetuarit thonë se është edhe më e rëndësishme shmangia e përjetimit të luftës për fëmijët.
Facebook Forum