Lidhje

Rrezik nga zija e bukës në Jemen


Mark Lowcock, the U.N. Humanitarian Affairs Emergency and Relief Coordinator, address United Nations Security Council with a report on Yemen, Oct. 23, 2018 at U.N. headquarters.

Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se Jemeni është në rrezik të përfshihet nga zija e bukës. Mark Lowcock, Nënsekretari i Përgjithshëm i OKB për operacionet humanitare informoi dje Këshillin e Sigurimit se Jemeni ndeshet tani me zinë më të rëndë të bukës që kanë parë ndonjëherë punonjësit e organizatës. Zyrtari bëri thirrje për përpjekje që të ndalet dhuna dhe të shtohen ndihmat humanitare:

Civilët që u largohen luftimeve mes forcave qeveritare dhe kryengritësve huti përballen tani me rrezikun e urisë masive. Fëmijët vuajnë nga kequshqyerja dhe janë në rrezik të vdesin nga uria, kolera dhe difteria.

“Vajza u sëmur papritur. U përpoqëm të kujdesemi për të por ajo vdiq pas dy ditësh. Pasi e varrosëm atë u sëmur djali. E dërguam në Sana, menduan se do të shërohej por edhe ai vdiq,” thotë një paciente me difteri.

Shefi i operacioneve humanitare në OKB informoi Këshillin e Sigurimit se shumë nga vdekjet janë shkaktuar nga uria:

“E dimë që shumë vdekje nuk raportohen. Vetëm gjysma e klinikave dhe spitaleve funksionojnë dhe shumë jemenas nuk e përballojnë koston e rrugës për të shkuar tek këto objekte,” thotë Mark Lowcock, shefi i Operacioneve humanitare të OKB-së.

Zyrtari i lartë thotë se sipas përllogaritjeve më të hershme, 130 fëmijë nën 5 vjeç vdesin çdo ditë në Jemen nga uria ekstreme dhe sëmundjet dhe se situata po keqësohet.

“Sipas analizës sime aktualisht ekziston një rrezik i qartë dhe i pranishëm që zija e bukës të përfshijë Jemenin në përmasa shumë më të mëdha se ç’kanë parë punonjësit tanë që merren me luftën kundër urisë në terren,” tha zoti Lowcock.

Zyrtarët e OKB-së përllogarisin se 1.8 milionë fëmijë vuajnë nga mungesa akute ushqimi në Jemen, 400 mijë prej të cilëve në nivele të rrezikshme për jetën. Nënsekretari i Përgjithshëm paralajmëron se e gjithë popullata është në rrezik urie nëse vazhdojnë luftimet. Ai thotë se ndihmat ushqimore nuk mjaftojnë për të ushqyer 29 milionë jemenas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG