Lidhje

Pesë akuza federale ndaj të dyshuarit për bombat nëpërmjet postës


Sipas njoftimeve të mediave që citojnë zyrtarë të zbatimit të ligjit, personi i cili u arrestua dhe u akuzua të premten për postimin e së paku 13 pakove që përmbanin pajisje shpërthyese ndaj kritikëve të Presidentit Donald Trump pritet të bëjë paraqitjen e tij të parë në gjykatë.

Një burim i zbatimit të ligjit tha për programin CBS News se Cesar Sayoc, një 56-vjeçar nga Aventura në Florida, pritet të paraqitet në gjykatë të hënën, ndërsa kanali CNBC njoftoi se Sayoc do të bëjë paraqitjen e tij të parë para një gjykatësi federal në Majami të Floridas të hënën.

Agjencia Associated Press citon një zyrtar të zbatimit të ligjit, i cili tha se i akuzuari do të bëjë një paraqitje fillestare në gjykatën e Floridas përpara se të ballafaqohet me akuza në gjykatën federale të Nju Jorkut ku u gjetën pesë nga 12 pakot bombë.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Bill Gallo, njofton se i dyshuari ka një historik të gjatë penal.

Cesar Sayoc ka një historik të gjatë penal, përfshirë akuza për vjedhje, drogë dhe mashtrim.

Ai u arrestua të enjten pranë qytetit Majami, të shtetit Florida.

U konfiskua gjithashtu në vendngjarje një furgon i bardhë me postera politike.

Zyrtarët federalë ngritën pesë akuza penale ndaj zotit Sayoc.

“Kjo është një administratë e shtetit ligjor. Nuk do të tolerojmë një paligjshmëri të tillë, në veçanti dhunën politike”, deklaroi prokurori i përgjithshëm, Jeff Sessions.

Zoti Sayoc, i regjistruar si votues republikan, dyshohet se dërgoi nëpërmjet postës të paktën 13 paisje shpërthyese të improvizuara.

Ai i dërgoi pakot në adresat e figurave publike që kanë kritikuar Presidentin Donald Trump.

Autoritetet thonë se njëra prej pakove mbarte shenjat e gishtërinjve të zotit Sayoc.

Megjithëse asnjë nuk shpërtheu, FBI-ja thotë se nuk ishin bomba false.

“U përpoqëm të përcaktojmë nëse ishin funksionale... Sidoqoftë, ato përmbanin lëndë energjike, të cilat po të ishin ekspozuar ndaj nxehtësisë apo fërkimit mund të kishin rrezikuar publikun”, informoi drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Hetuesit pranuan anshmërinë e dukshme politike të zotit Sayoc, por disa ekspertë të pavarur thonë se nuk është e sigurtë nëse kjo luajti rol.

“Nuk ka qenë aktiv në organizatat lokale politike. Nuk është një person që do ta konsideronit politikisht të motivuar. Ai po kërkon për një justifikim për sjelljen e tij anti-sociale”, thotë profesor Jimmie Oxley, i Universitetit të Rhode Island.

Presidenti Donald Trump i quajti bombat një akt “terrori”.

“Mesazhi kryesor është se amerikanët duhet të bashkohen dhe duhet t’i tregojmë botës se jemi të bashkuar së toku në paqe, dashuri dhe harmoni, si bashkëqytetarë”, tha Presidenti Trump.

Kjo thirrje për unitet ishte në kontrast me vetëm pak orë më herët, kur Presidenti Trump pati fajësuar mediat se shkaktuan zemërim në shoqërinë amerikane.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG