Lidhje

Vritet në shkëmbim zjarri me policinë i riu në Bularat të Gjirokastrës


Ministria e Jashtme e Greqisë reagoi përmes një deklarate pas vrasjes së 35 vjecarit Kostandin Kacifas në Bularat të Gjirokastrës gjatë shkëmbimit të zjarrit me Forcat e Repartit Special RENEA pasditen e së dielës. Ministria e Jashtme greke pohon se “ishte informua për vrasjen e të riut dhe me autoritetet shqiptare po ndjek zhvillimet”. “Ngushëllime për vdekjen e homogjenit grek, e papranueshme humbja e jetës së një personi në çdo rrethanë. Shprehim keqardhjen tonë për vdekjen e shtetasit grek”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashmte greke. Pas deklaratës reagoi edhe Ministria e Jashtme Shqiptare e cila “shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila sic thuhet në deklaratë “jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave shqiptare të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”.

Ministria e Jashtme shqiptare “bën thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë”. “I sigurojmë fqinjët tanë, vijon deklarata e Ministrisë së Jashtme shqiptare se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”. Deklarata pohon se rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare”. “Policia e Shtetit, thuhet në deklaratë, ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar”. Lidhur me ngajren në Bularat reagoi edhe Kryeministri shqiptar Edi Rama. “Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”, shkroi Kryeministri Rama në Twitter në mbrëmje.

35 vjeçari Kostandin Kacifas pjesëtar i pakicës greke qëlloi paraditen e së dielës me armë zjarri ndaj shërbimeve të policisë në Bularat të Gjirokastrës dhe u vra disa orë më vonë pas gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat Speciale të Repartit “Renea”. Sipas burimeve zyrtare policore “forcat RENEA i kanë bërë thirrje të riut te hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi nuk i është përgjigjur thirrjes së herëpashershme të policisë, dhe ka hapur zjarr me armë duke rrezikuar seriozisht jetën e efektivëve.

Policia e Gjirokastrës tha se Forcat RENEA janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit shtetasi është vrarë. Një grupi hetimor ka mbërritur në fshatin Bularat për të hetuar ngjarjen. Policia e Gjirokastrës dha gjithashtu hollësi mbi incidentin me armë zjarri gjatë paradites ku sipas saj nga sulmi me armë i të riut u rrezikua jeta e punonjësve të policise. Sipas një njoftimi për mediat të policisë ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, ku shërbimi policor kostatoi se një person qëllonte me armë zjarri në ajër në krye të fshatit Bularat. Sipas burimeve policore në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do të zhvillohej një aktivitet me rastin e Festës Kombëtare të Greqisë.

Policia e Gjirokastrës tha se shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre. Policia tha se nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë. Policia më pas ka rrethuar zonën dhe përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin. Sipas hetimeve paraprake shtetasi Kostandinos Kaçifa jetonte në Greqi dhe prej një jave kishte ardhur në Bularat, një zonë që banohet nga pakica greke. Ende nuk jane mësuar motivet dhe burimi i armës me te cilin i riu qëlloi mbi policinë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG