Lidhje

Itali, vazhdon situata e emergjencës


Italia vazhdon të jetë në një situatë emergjence që ka goditur pothuaj gjysmën e vendit, pasojë e një moti të keq dhe me erëra e shira të furishëm. Sot autoritetet konfirmuan viktimën e 10- të. Megjithëse të martën fuqia e erërave dhe shiut u zbut disi, vendi vazhdon të vuajë pasojat e përmbytjeve të mëdha, rrëshqitjeve të dheut dhe dëmeve të pallogaritshme.

Autoritetet italiane vazhdojnë përpjekjet për shpëtim ndërsa popullata po vuan pasojat e një vale moti të keq që ka goditur vendin në tre ditët e fundit shoqëruar me erëra e shira të furishëm njoftoi Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile. Lumenj të fryrë, rrëshqitje dheu, vende të izoluara prej ujit e baltës, rajone të tëra të gjunjëzuara, me qindra njerëz të zhvendosur, kështu u gdhi Italia të martën.

Edhe pse fuqia e erërave dhe shiut u zbub disi të martën, situata e emergjencës vazhdon. Të hënën fuqia e erës në disa rajone të vendit arriti deri në 100 kilometra në orë.

Në portin turistik të Rapalos, si pasojë e erërave dhe dallgëve të fuqishme u dëmtuan me dhjetëra jahte si dhe u shkatërruan limanet ankoruese. Shqetësim për autoritetet përbën niveli ujit të disa lumenjve.

Brigada Kombëtare e Zjarrfikësve u është përgjigjur thirrjeve për ndihmë në 7 mijë raste dhe si pasojë një nga punonjësit e saj mbeti i vrarë i goditur nga një pemë, gjatë një operacioni shpëtimi në një qytet të vogël në veri të vendit. Rreth 5,800 zjarrfikës janë angazhuar në terren për të përballuar situatën e emergjencës.

Alarmi portokalli, i dyti më i madh sipas shkallës së matjes së rreziqeve, është lëshuar në rajonet qendrore të Abrucos dhe Lacios, duke përfshirë dhe kryeqytetin e vendit Romën, ku të hënën shpejtësia e erës arriti një forcë të pazakontë mbi 100 kilometrave në orë.

Venecia vazhdon ende të jetë e përmbytur. Qyteti njihet për përmbytjet e vazhdueshme por të hënën uji arriti nivele të jashtëzakonshme. Të martën ministria italiane e Punëve të Brendshme u kërkoi autoriteteve në rajonet e goditura nga stuhia, që përbëjnë rreth gjysmën e vendit, të mbyllin shkollat dhe zyrat e shërbimeve publike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG