Lidhje

Kosovë, bllokimi i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme


Kosovë, bllokimi i pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:30 0:00

Gjatë vitit 2018 në Kosovë janë bllokuar pasuri të përfituara në mënyrë të kundër ligjshme në vlerë prej 652 mijë eurosh, ndërsa prej tyre janë konfiskuar rreth 52 mijë euro.

Depoja ku mbahen disa nga pasuritë e sekuestruara, menaxhohet nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, e cila është themeluar në vitin 2011 dhe që nga ajo periudhë e deri më tani ka menaxhuar me rreth pasuri të sekuestruara në vlerë prej 36 milionë eurosh.

Drejtori i kësaj agjencie, Rrahim Rama tregon shumën që ka përfituar shteti nga konfiskimi i pasurisë së kundër ligjshme.

“Ne në buxhetin e Kosovës, prej gjithë shumës pra, formës së prerë janë dy milionë e 173 milionë euro. Dhe është interesant se prej themelimit në vitin 2011, për herë të parë kemi dalur me bilanc pozitiv që do të thotë se shuma e konfiskuar e ka tejkaluar shumën e sekuestrimit”,tha ai.

Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar mirëmban pasuritë që konfiskohen nga krimi i organizuar, financimi i terrorizmit dhe rastet e korrupsionit.

“Ne administrojmë pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, kemi shtëpia, spitale private, automjete, makineri të larta që janë konfiskuar gjatë dëmtimit të lumenjve, kemi ari që e kemi deponuar te Banka Qendrore e Kosovës, pra kemi kryesisht pasuri që janë në interes të grupeve kriminale”, tha zoti Rama.

Por, shuma e konfiskuar deri më tani, sipas organizatave të shoqërisë civile që ndjekin fushën e drejtësisë dhe korrupsionit, është shumë e ultë për të ushtruar ndikim në luftën kundër dukurive negative dhe nuk mjaftojnë për të ndëshkuar të gjithë ata që janë pasuruar nëpërmjet rrugëve të paligjshme.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se hulumtimet kanë nxjerrë në pah se më shumë se 90 për qind të rasteve prokurorët nuk bëjnë kërkesa për sekuestrim apo konfiskim të pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Me gjithë faktin se mungojnë kërkesat për sekuestrim ose konfiskim, pastaj përkthehet në mungesë të rezultateve në konfiskimin e dobisë pasurore të fituar përmes veprave penale. Instituti i Kosovës për Drejtësi në vazhdimësi ka kritikuar sistemin e drejtësisë për mungesë të rezultateve dhe mungesë të aktgjykimeve dënuese. Kur ka mungesë të aktiviteteve të vendime dënuese dhe kur nuk ka kërkesa sigurisht që nuk mundtë pritet që të kemi konfiskim të pasurisë që kriminelët apo personat e caktuar përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme”,tha ai.

Një sfidë e madhe mbetet kohëzgjatja e vendimeve gjyqësore që nga sekuestrimi e deri te konfiskimi i pasurisë, duke i shkaktuar dëme buxhetit të shtetit, pasi që pasuria fillon të humb vlerën. Proceset gjyqësore në nëntëdhjetë për qind të rasteve marrin deri në katër vjet kohë për të konfiskuar pasuritë e paligjshme.

Arton Demhasaj nga organizata kundër korrupsion Çohu, thotë se ligji për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme ka pasur shumë pak ndikim në goditjen e grupeve kriminale dhe të rasteve të korrupsionit.

“Kjo për shkak të shumë faktorëve, e para edhe për shkak të bazës ligjore e cila nuk e rregullon si duhet këtë çështje sepse baza ekzistuese ligjore thotë se fillimisht duhet të kryhet një vepër penale dhe të nxirret një aktgjykim i fuqishëm për atë vepër penale e që pastaj të mund të shqyrtohet pasuria që ndërlidhet me atë vepër penale e që mund të përfundojë me konfiskim përfundimtar. Një bazë e komplikuar ligjore e ka shkaktuar gjithë këtë telashe”,tha ai.

Zoti Miftaraj thotë se sipas Kodit të procedurës penale, në çdo rast kur të ngrihet aktakuza, prokurori i shtetit e ka për detyrim që të identifikojë pasurinë e dyshimtë dhe të njëjtën ta paraqes në aktakuzë me kërkesën për sekuestrim apo konfiskim.

“Kjo tregon se ose nuk ka vullnet nga ana e prokurorisë për të bërë kërkesa për konfiskim e në anën tjetër mund të jetë edhe për shkak të mungesës profesionalizmit ose edhe për shkak të hezitimit të prokurorve të cilët si duket shumë më të lehtë e kanë të ngritin një aktakuzë që nuk bëjnë hetime shtesë për të identifikuar pasurinë e përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe kjo pastaj përkthehet në atë që kemi thënë se që pesë vjet kur ka hyrë në fuqi Kodi i procedurë penale shifra e konfiskimit është pothuajse qesharake”,tha zoti Miftaraj.

Zoti Demhasaj thotë se duhet edhe një projektligj me bazë civile që do të mund të konfiskonte pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme edhe pa ndonjë vepër penale. Sipas tij ka shumë politikanë në Kosovë që kanë krijuar pasuri milionëshe e që mbeten të paprekur për shkak të ligjit.

“Dhe nëse ata nuk arrijnë të kryejnë vepra penale e që për to të zhvillohet një procedurë penale dhe të shqiptohet një aktgjykim dënues, pasuria e tyre momentalisht është e paprekshme dhe askush nuk mundet të shqyrtojë pasurinë e tyre. Baza ligjore që është tani e pamundëson këtë dhe në një farë mënyre ndikon që në ndër vite politikanët që janë bartës të institucioneve kryesore publike me kriju pasuri të tilla e që askush të mos mund t’i luftojë këtë pasuri kaq të madhe që mund të jetë paligjshme për vet faktin se është shumë e palogjikshme që me pagën që ka të krijojë një pasuri të tillë që kanë”,tha zoti Demhasaj.

Ndërsa, zoti Rama thotë se megjithëse agjencia që udhëheq menaxhon rastet e sekuestruara nga korrupsioni, deri më tani nuk ka pasur një rast të madh të kësaj vepre.

“Mirëpo, të them të drejtën ndonjë rast që do t’ia vlente të përmendet në fushën e korrupsionit nuk kemi ndonjë rast që të krenohemi si agjenci që administron vlera të mëdha. Edhe pse të jemi drejtpërdrejt dhe të sinqertë me opinionin kam pasur shumë raste të mëdha në fushën e korrupsionit por ne ato pasuri nuk i kemi administruar dhe çuditem pse nuk i kemi administruar”,tha ai.

Por, çfarë roli do të luante konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të kundërligjshme në luftën kundër korrupsionit?

“Kjo do të ndikonte në parandalimin jo vetëm të korrupsionit por edhe të krimit të organizuar dhe grupeve të caktuara kriminale të cilëve në një farë mënyre u ndalon financimin për të kryer vepra të njëjta edhe në të ardhmen apo për të shtrirë në një farë mënyre rivalitetin edhe në fushat tjera”,tha zoti Miftaraj.

“Në momentin kur u konfiskohet paraja në një farë mënyre edhe grupet e organizuara qoftë kriminale apo të kriminaliteti të “Jakës së bardhë” që quhet nga personat që janë të përfshirë në institucione dhe merren me veprimtari të tilla, kur ua konfiskon paratë, ua pamundëson veprimtaritë e tyre dhe është një masë shumë e ashpër parandaluese për zhvillim të krimit, korrupsionit dhe në përgjithësi”,tha zoti Demhasaj.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile thonë se mos konfiskimi i pasurisë se përfituar në mënyre të paligjshme, mbetet një ndër sfidat kryesore për të luftuar dhe parandaluar korrupsionin.

Edhe Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit mbi përparimin në Kosovë, thekson se me gjithë përmirësimet që janë shënuar në sekuestrimin e pasurisë, konfiskimet përfundimtare mbesin të ulta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG