Lidhje

Vazhdon numërimi i votave në Florida, Xhorxhia dhe Arizona


Ndërsa shumica e votave janë numëruar nga zgjedhjet e së martës për Kongres, katër gara të mëdha në shtete kyçe janë ende të pavendosura. Rinumërimi i votave duket gjithnjë e më i mundshëm në Florida, ku republikanët aktualisht kanë një epërsi të vogël në zgjedhjet për senat dhe guvernator. Ndërkohë edhe zgjedhjet për guvernator në Xhorxhia dhe ato për Senat në Arizona po tërheqin vëmendjen. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjellë hollësitë.

Numërimi i votave po vazhdon në Florida, një shtet gjithmonë i rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale ndërsa këtë vit, në qendër të vëmendjes janë rezultatet e ngushta të zgjedhjeve për guvernator dhe senat.

Tashmë janë ngritur padi dhe të premtën u zhvilluan protesta në distriktin Broward County, pasi kandidati republikan Rick Scott akuzoi demokratët për përpjekje për të vjedhur zgjedhjet.

"Çdo floridian duhet të jetë i shqetësuar se mund të ketë mashtrime të pakontrolluara në distriktet Palm Beach dhe Broward".

Epërsia e kandidatit Rick Scott, guvernatori aktual i Floridës, është zvogëluar në garën për senator ndaj rivalit të tij demokratit Bill Nelson.

Presidenti Trump gjithashtu komentoi mbi zgjedhjet në Florida para se të nisej drejt Evropës.

"Dhe papritur ata po gjejnë vota që nuk ekzistonin më parë. Rick Scott fitoi me një diferencë të mirë, pavarësisht se rezultati ishte i ngushtë. Çdo dy orë tani epërsia e tij po zvogëlohet".

Por zyrtarët shtetëror të zgjedhjeve në Florida po mbrojnë veprimet e tyre.

"Ne duhet të numërojmë votat për votuesit tanë dhe ne duam të jemi të saktë, jo të shpejtë. Është për të ardhur keq që ka shumë keqinformim në publik", tha Susan Bucher, mbikqyrëse e zgjedhjeve në Florida.

Votat e zgjedhjeve për senat dhe ato për guvernator në Florida mund të rinumërohen.

Republikani Ron DeSantis shpalli fitore në garën për guvernator ndaj demokratit Andrew Gillum të martën.

"Unë jam i gëzuar për mundësitë që kemi në shtetin e Floridës. Nuk mund të mendoj për një shtet më të mirë se Florida për ta udhëhequr".

Por edhe epërsia e zotit DeSantis është ngushtuar, dhe Gillum po u kërkon mbështetësve të tij që të jenë të durueshëm.

"Ne shpresojmë që çdo votë do të numërohet".

Një tjetër garë e pavendosur është në Xhorxhia, ku demokratja Stacey Abrams ndodhet prapa republikanit Brian Kemp në garën për guvernator.

"Ka ende vota që duhet numëruar. Ka zëra që presin të dëgjohen."

Zoti Kemp tashmë ka shpallur fitoren dhe shpreson që të ruaj pragun prej 50 për qind të votave për të shmangur balotazhin muajin e ardhshëm.

"Unë ju premtoj se do punojë për të gjithë banorët e Xhorxhias dhe do të jem një guvernator, i cili mendon më shumë për të bërë atë që është e drejtë se sa atë që është më e mirë politikisht".

Një tjetër rezultat i pavendosur është ai i zgjedhjeve për senator në Arizona, ku demokratja Kyrsten Sinema ka një epërsi të lehtë ndaj rivales së saj republikane Martha McSally.

Asnjë nga këto gara nuk e ndryshon balancën e pushtetit të vendosur në zgjedhjet e së martës, ku demokratët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ndërsa republikanët ruajtën shumicën në Senat.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG