Lidhje

100 vjetori i fundit të Luftës së Parë Botërore


100 vjetori i fundit të Luftës së Parë Botërore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:41 0:00

100 vjetori i fundit të Luftës së Parë Botërore

Këtë të dielë në fshatra dhe qytete në mbarë Evropën do të mbahen ceremoni përkujtimore që do të fillojnë në orën 11, në ditën e 11 dhe muajin e 11 të vitit, duke shënuar 100-vjetorin e armëpushimit që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell, në Gjermani nuk do të ketë veprimtari madhështore që përkujtojnë vitin 1918. Shumë gjermanë janë përqendruar tek mësimet e nxjerra nga luftërat botërore, ndërsa vendi i tyre tashmë është një fuqi kryesore në zemër të Evropës.

‘Le Chêne Tondu’ gjendet thellë në pyllin Argonne në Francë. Nën gjethet e rëna fshihen gjurmët e betejave të një shekulli më parë që ndikuan në fundin e luftës. Aty vihen re transhetë e gërmuara nga ushtarët gjermanë si përpjekja e fundit për të mbrojtur kodrinën ndërsa një bunker është mbuluar nga myshqet. Historiani Randy Gaulke ka punuar për vite të tëra për të zbuluar këto mbetje.

“Siç duket, amerikanët do të vinin nga ana tjetër, pra Divizioni 28 i Pensilvanisë, në përpjekje për të marrë këtë rrafshnaltë.”

Në krye të rrafshnaltës, një varrezë gjermane, nga të paktat varreza që i ka rezistuar kohës. Lufta shkaktoi humbje të mëdha jetësh. Ndryshe nga Franca, Gjermania nuk pati dëme të shumta. William Philpott është profesor i historisë ushtarake në kolegjin Kings në Londër.

“Nuk pësoi shkatërrimet e bombardimeve nga ajri që përshembull do të vinin gjatë Luftës së Dytë Botërore.”

Pas luftës, fitimtarëve ju deshën vite për të negociuar traktate paqeje, e megjithatë Evropa ende rrezikohej nga paqëndrueshmëria.

“Marrëveshjet e pas luftës do të linin shumë probleme të hapura që do të çonin në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore. Kryesisht në Evropën Lindore ku ranë tre perandori: Romanovët në Rusi, Hapsburgët në Austro-Hungari dhe Hohenzollerns në Prusi. Kemi krijimin e një numër shtetesh më të vogla, më të brishta, para-liberale por në thelb jo liberale”, thotë profesori William Philpott.

Në bazë të traktateve të paqes, Gjermania u detyrua të paguante dëmshpërblime të mëdha, kolonitë e saj u konfiskuan dhe territori i saj u nda. Zemërimi krijoi një mjedis të përshtatshëm për ngritjen e Adolf Hitlerit.

“Kur nazistët erdhën në pushtet mohuan klauzolat e çarmatimit të Traktatit të Versajës dhe ndalën pagesat e dëmshpërblimit ndaj Francës. Në një farë mënyre, Gjermania demostroi se si një vend i madh në qendër të Evropës me burime të shumta natyrore dhe popullsi të madhe, ai vend përsëri mund të fuqizohej”, thotë profesori William Philpott.

Mposhtja në vitin 1945 do t’i kushtonte më shumë se sa në vitin 1918 – me shkatërrimin e zemrës industriale të Gjermanisë. Markus Klauer është historian i Luftës së Parë Botërore.

“Patëm rastin të ndërtonim gjithçka nga e para. Në vitet 1960-70, patëm përparësinë që të kemi përsëri një industri të fuqishme.”

Ekonomikisht dhe politikisht, Gjemania u shfaq si një forcë lëvizëse për integrimin evropian.

“ Institucionet ndërkombëtare të krijuara që nga vitet 1950-të që çuan në Bashkimin Evropian, i kanë mundësuar Gjermanisë të ushtrojë ndikim, fuqi financiare dhe ekonomike në një mënyrë më të mirë sesa ishte në gjendje ta bënte më parë”, thotë profesori William Philpott.

100-vjetori nuk do të shënohet me ceremoni madhështore në Gjermani. Humbja e vitit 1918 nuk çoi drejt paqes, por në orët më të errëta të atij vendi.

“Mësimi që doli nga këto dy luftëra botërore ishte se asnjë vend në Evropë nuk mund t’ja dalë i vetëm”, thotë historiani Markus Klauer.

1 mijë e 111 ushtarë gjermanë pushojnë në këtë varrezë, vetëm një pjesë nga 1,7 milion që vdiqën në betejat e Luftës së Parë Botërore. Për Gjermaninë, 100 vjetori është padyshim një moment reflektimi ndaj humbjeve të paimagjinueshme, por gjithashtu se si Gjermania në zemër të Evropës, mund të parandalojë që një konflikt i tillë të mos ndodhë më kurrë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG