Lidhje

Debatet për statusin ushtarak të Lleshit


Në Shqipëri, çështja e emërimit të zotit Sandër Lleshi në postin e ministrit të Brendshëm vijon të shoqërohet me polemika mes Presidentit Ilir Meta dhe Qeverisë. Zoti Meta publikoi sot informacionet që ka kërkuar nga ministria e Mbrojtjes lidhur me statusin e zotit Lleshi si ushtarak, duke qenë se një pozitë e tillë bie ndesh me atë të ministrit të Brendshëm. Përmes një letre drejtuar Presidentit Meta, zoti Lleshi sqaron se ai nuk është ushtarak aktiv, por se megjithatë ka vendosur të heqë dorë nga karriera ushtarake, ndonëse gjykatat i kanë dhënë të drejtë:

Debatet për statusin ushtarak të z. Lleshi
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:28 0:00

Ngërçi i krijuar për çështjen e ministrit të ri të Brendshëm, po vërtitet tani rreth qënies apo jo të zotit Sandër Lleshi një ushtarak aktiv. Në një kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, presidenti Ilir Meta ka shtruar një sërë pyetjesh pikërisht rreth statusit të tij, duke qenë se “ministri si funksion kushtetues është autoritet civil, dhe kandidatura e zotit Lleshi vjen nga një karrierë e gjatë ushtarake” e për pasojë “emërimi i tij në detyrën e ministrit të Brendshëm, paraqet një problematikë themelore kushtetuese”, shkruan zoti Meta në letër ndërsa saktëson se “ushtaraku i shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhet ose të emërohet në detyra të tjera shtetërore dhe as nuk mund të kandidojë e as të zgjidhet ministër apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra”.

Sipas zotit Meta “megjithëse Kryeministri është vënë në dijeni mbi këtë ndalim kushtetues, sërish edhe në propozimin e ri, nuk është dhënë asnjë shpjegim, informacion si dhe nuk është mbajtur asnjë qëndrim mbi këtë çështje dhe për pasoja të tjera që mund të lidhen me të”.

Zoti Lleshi është liruar nga detyra e zëvendës shefit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë në vitin 2013 dhe është nxjerrë në lirim me dekret të presidentit të atëhershëm Bujar Nishani. Ai ju drejtua gjykatave, dhe Apeli administrativ i dha të drejtë në 2017 duke kërkuar rikthimin e tij në detyrë si dhe që ministria e Mbrojtjes t’i japë pagën deri në ditën e emërimit të ri. Ndërkohë çështja ka përfunduar në Gjykatën e Lartë, ku nuk është ende.

Pyetjet e zotit Meta përqëndrohen pikërisht mbi këtë rast dhe qëndrimet e mbajtura pas vendimit gjyqësor si nga ministria e Mbrojtjes ashtu dhe nga vetë zoti Lleshi. Ky i fundit përmes një letre dërguar presidentit, shpjegon se pas vendimit të Apelit, i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes zbatimin e tij, porse ministria e ka dërguar çështjen në Gjykatën e Lartë. Ai shprehet se nuk mund të konsiderohet ushtarak aktiv duke qenë se “të tillë quhen ata që shërbejnë në Forcat e Amatosura dhe mbajnë uniformë”.

Zoti Lleshi nënvizon se me pranimin e propozimit për ministër i Brendshëm ka vendosur të heqë dorë nga karriera ushtarake, pavarësisht se vendimi i Gjykatës ja ka dhënë këtë mundësi dhe se me kërkesën drejtuar presidentit heq dorë nga të drejtat që i burojnë nga vendimi i Apelit.

Zotit Meta i është drejtuar sot dhe kryeministri Edi Rama, i cili shprehet i keqardhur pse sipas tij, këtë çështje presidenti nuk e kishte ngritur që më herët, duke bërë të mundur që të shmangej “krisja e parë” siç shprehet ai. Zoti Rama shprehet se nuk mendon se zoti Lleshi ka statusin e ushtarakut aktiv, megjithatë lë në dorë të presidentit ta vlerësojë, dhe nëse ai mendon të kundërtën, atëherë “sipas kërkesës së vetë zotit Lleshi, mund të vendosë çdekretimin e këtij të fundit si ushtarak”, shprehet zoti Rama.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG