Lidhje

Presidenti Meta nxiti dialogun mes bashkisë dhe banorëve të Unazës së Re


Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shprehu shqetësim për zhvillimet dhe “situatën konfliktuale” në periferi të Tiranës, ku disa qindra banesa mund t’u prishen banorëve për të hapur një rrugë në unazën e re.

Zoti Meta kërkoi dialog mes banorëve dhe institucioneve dhe që këto të fundit të zbatojnë procedurat ligjore për hartimin, miratimin dhe zbatimin e këtij projekti urban, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e drejtë për të gjithë qytetarët dhe interesin publik në tërësi.

“Presidenti Meta bën thirrje për vendosjen e një dialogu dhe konsultimi mes qytetarëve dhe autoriteteve, me qëllim që të gjithë ankesat të vlerësohen me transparencë dhe përgjegjësi, me qëllim arritjen e një zgjidhjeje të drejtë dhe objektive” - theksohet në një deklarim për mediat.

Zoti Meta do t’u kërkojë informacion institucioneve mbi procedurat e kësaj çështje, dhe thekson se “të drejtat dhe liritë themelore të njeriut gëzojnë një mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe të gjitha institucionet shtetërore duhet të tregojnë përgjegjshmëri në respektimin e plotë të tyre”.

Banorët e zonës së Unazës së Re kundërshtojnë vendimin e qeverisë për shembjen e banesave të tyre dhe po vazhdojnë protestat prej 11 ditësh.

Anëtarët e opozitës në këshillin bashkiak të Tiranës mësohet se kanë vendosur të bojkotojnë mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak.

“Opozita zgjedh të jetë në krah qytetarëve përballë kësaj klike të korruptuar e të shthurur, që vetëm në sajë të votave të blera nga mafia dhe grupet e trafiqeve të drogës sundon vendin dhe Tiranën” - thuhet në reagimin e partisë demokratike.

Kryetari i bashkisë Erjon Velija u shpreh një ditë më parë se projekti do të realizohet dhe se kushdo banor ka patur dijeni për projektin e kësaj rruge qysh prej 30 vjetësh.

Ai siguroi se banorëve të prekur do t’u jepen 3 vjet qera dhe kompensime për ndërtesat e rrëzuara sipas ligjit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG