Lidhje

Gruevski u arratis përmes Shqipërisë


Ish kryeministri Nikolla Gruevski rezulton të jetë larguar nga Maqedonia përmes Shqipërisë. Policia shqiptare tha të enjten, se ai është larguar nga territori shqiptar, të dielën në mbrëmje, më 11 nëntor, përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, duke kaluar kështu në Mal të Zi.

Ai është paraqitur në kufi vetëm me kartën e identitetit. Policia shqiptare bëri të ditur se ai ka udhëtuar me një automjet të ambasadës hungareze në Tiranë, brenda së cilës, siç mësohet, përveç shoferit ka qenë dhe një punonjës i ambasadës, i pajisur me pasaportë diplomatike, të cilët janë rikthyer në Shqipëri brenda më pak së një ore.

Autoritetet policore shqiptare po kryejnë verifikime për të zbuluar se kur dhe nga cila pikë e kufirit ka hyrë në Shqipëri ish kryeministri maqedonas. Autoritetet maqedonase lëshuan fletë-arrestin për të më 12 Nëntor pasi ai nuk u paraqit vullnetarisht për vuajtjen e dënimit me dy vjet burg për shkak të një vepre penale. Ndërsa urdhëri i arrestit ndërkombëtar, i lëshuar nga Interpol Shkupi, i ka mbërritur Interpol Tiranës, sipas njoftimit të policisë shqiptare, më 13 nëntor në mbrëmje.

Ndërkohë në Shkup, autoritetet maqedonase po përpiqen të zbulojnë se si iku dhe kush i ndihmoi ish-kryeministrit Nikolla Gruevski. Prokuroria Themelore dyshon se persona që kanë keqpërdorur pozitën zyrare dhe autoritetin ta kenë bërë këtë, por autoritetet e rendit në Shkup ende nuk flasin zyrtarisht për njoftimin që vjen nga Tirana mbi rrugët e arratisjes së Gruevskit drejt Hungarisë.

Ende nuk është e qartë se në cilën ambasadë humgareze ai e ka paraqitur kërkesën për azil. Në Budapest, autoritet thonë se po e shqyrtojnë kërkesën për strehim që, sipas tyre, ish kryeministri e kishte parashtruar në një përfaqësi diplomatike hungareze jashtë Maqedonisë.

Sipas zërave në Shkup, ish-kryeministri Gruevski ka ndaluar në Beograd, ku ka bërë kërkesën në ambasadën hungareze dhe më pastaj ka vazhduar rrugën për në Budapest. Organet e rendit dhe të sigurisë në Shkup nuk i hedhin poshtë as nuk i konfirmojnë këto dyshime.

Shefi i kabinetit të Kryeministrit Viktor Orban, Gergely Gulyasu tha të enjten gazetarëve në Budapest se Hungaria nuk e ka ndihmuar ish kryeministrin të largohet nga vendi i tij.

“Udhëtimi nëpër Ballkan është i mundur me karta identiteti dhe auoritetet hungareze nuk kanë asgjë të bëjnë me largimin e ish-kryeministrit maqedonas nga territori i shtetit të tij. Me që ai e mbështet kërkesën për strehim tek mungesa e procedurave të drejta por dhe tek kërcënimet ndaj sigurisë së tij, u mor vendimi për shkaqe sigurie që dëgjimi i tij të bëhet në Zyrën e Imigracinit në Budapest”, tha zëdhënësi Gergely Gulyasu.

Hungaria është e njohur për kthimin e azil-kërkuesve në kufi prej nga vijnë dhe atje, në zonën tranzitore i merr në pyetje personat të cilët kërkojnë strehim.

“Shteti hungarez nuk i ka dhënë asnjë ndihmë dhe nuk mund të lidhet në asnjë mënyrë me vendimin e ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski për t’u larguar nga Maqedonia”, shtoi zëdhënësi Gergely Gulyasu.

Në Shkup, ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov ka biseduar me telefon me kolegun e tij hungarez Peter Siarto, të cilit i ka theksuar faktin se bëhet fjalë për një person të dënuar, kundër të cilit po zhvillohen edhe katër procedura të tjera gjyqësore për vepra të rënda kriminale.

Ministri maqedonas, sipas kabinetit të tij, ka nënvizuar paradoksin e situatës me kërkimin e strehimit politik në një vend të Bashkimit Evropian nga një individ gjatë pushtetit të të cilit Maqedonia si vend kanidat për në BE karakterizohej si “shtet i robëruar” nga vetë Komisioni Evropian.

Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë po përgatit dokumentet për kërkesën e ekstradimit të zotit Gruevski nga Budapesti.

Një pjesë e analistëve mendojnë se Hungaria, si vend i Bashkimit Evropian nuk do të mund ta mbajë gjatë Gruevskin për shkak të trysnive dhe se ish-kryeministri maqedonas do të duhet të kërkojë një vend tjetër të sigurt për të, dhe kjo sipas tyre do të ishte Rusia.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG