Lidhje

Parlamenti maqedonas i heq imunitetin ish kryeministrit Gruevski


Parlamenti i Maqedonisë e miratoi të martën në mbrëmje kërkesën e Gjykatës Penale për burgosjen e deputetit Nikolla Gruevski. Kjo nënkupton heqjen e imunitetit të deputetit. 62 ligjvënës të shumicës parlamentare votuan për këtë, ndërsa asnjë deputet i partisë VMRO-DPMNE të opozitës, partia e ish-kryeministrit Gruevski, nuk ishte i pranishëm në seancën plenare. Madje, seanca kaloi pa debat; askush nuk diskutoi për çështjen e imunitetit të zotit Gruevski. Më parë gjatë ditës, Komisioni parlamentar për çështje të mandateve dhe të imunitetit mori vendim që t’i rekomandojë parlamentit që t’ia heqë imunitetin ligjvënësit opozitar, i cili është arratisur në Hungari ku i është dhënë strehim politik.

Megjithatë, zoti Gruevski e mba mandatin e deputetit dhe merr rrogë mujore, ndonëse për çdo mungesë në seanca, me një ulje prej 5 përqind. Parlamenti dështoi para disa ditësh për t’ia hequr mandatin e deputetit atij sepse nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të nevojshme për këtë. Parlamentit tash i duhet të kalojnë gjashtë muaj në mënyrë që të ngritet një nismë e re për t’ia hequr Gruevskit mandatin e deputetit.

Ndërkohë, në Shkup ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për arratisjen e Nikolla Gruevskit, i cili ishte dënuar me dy vjet burg për korrupsion. Autoritetet thonë se po bëjnë hetime se si u arratis ai dhe kush i ndihmoi. Padyshim, ish-kryeministri maqedonas do të ketë pasur mbështetjen e strukturave të sigurisë për realizimin e synimit të tij, sipas analistëve, ndërkohë që qeveria maqedonase i hedh poshtë zërat për një marrëveshje të fshehtë politike me Nikolla Gruevskin.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili njihet për miqësinë me Nikolla Gruevskin, ka shprehur mirënjohje për ish-kreun e qeverisë në Shkup “për rolin e tij në ndaljen e valëve të refugjatëve nga Lindja e Mesme, duke i ndihmuar në këtë mënyrë Hungarisë”. Orban ka thënë të marten në parlamentin e vendit të tij se nuk ishte takuar dhe as nuk kishte kohë të takohet me zotin Gruevski.

Ish-kryeministri maqedonas u dënua me dy vjet burg për ushtrimin e ndikimit në një tender të jashtëligjshëm për blerjen e një makine luksoze Mercedes të blinduar me një shumë prej rreth 600 mijë eurosh. Por, ndaj tij zhvillohen në mënyrë paralele edhe katër raste të tjera gjyqësore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG