Lidhje

Mueller dhe lidhjet e këshilltarëve të zotit Trump me Rusinë


Presidenti amerikan Donald Trump ka insistuar në shumë raste se fushata e tij presidenciale e vitit 2016 nuk kishte asnjë lidhje me Rusinë.

"Ka ardhur koha që Gjuetia e Shtrigave të marrë fund!" tha Presidenti Trump në një shkrim të tij në Twitter të shtunën e kaluar. "Pas dy vjetësh dhe dokumenteve prej miliona faqesh (dhe një kosto prej mbi 30 milion dollarë) nuk ka bashkëpunim!" thuhej në një mesazh të mëhershëm të Presidentit Trump në Twitter.

Por prokurori i posaçëm që po heton ndërhyrjen ruse në fitoren e zotit Trump ndaj demokrates Hillary Clinton ka nxjerrë shumë prova që lidhin bashkëpunëtorët e zotit Trump me Rusinë. Në hetimin prej një viti e gjysmë të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi ndërhyrjen ruse, dokumentet që përmbajnë akuza kanë pohuar se më shumë se dhjetë bashkëpunëtorë të Presdientit Trump, nga ish-menaxheri i fushatës Paul Manafort deri tek dhëndri dhe këshilltari i tij i lartë Jared Kushner, kanë komunikuar me rusët, në një formë apo në një tjetër, gjatë dhe pas zgjedhjeve.

Ndërsa hetimi i prokurorit Muellerit funksionon nën një juri të madhe të fshehtë, provat që prokurori i posaçëm i ka referuar në dokumentet e gjykatës tregojnë për kontakte më të thella dhe më të gjera se sa mendohej më parë mes njerëzve në orbitën e zotit Trump dhe operatorëve rusë që po përpiqeshin të fitonin ndikim mbi Presidentin republikan.

Njoftimet e fundit për lidhjet midis zotit Trump dhe Rusisë u shfaqën në një dokument dënimi për ish avokatin e zotit Trump Michael Cohen, i cili pranoi fajësinë javën e kaluar se ka gënjyer Kongresin mbi përpjekjet e zotit Trump gjatë fushatës për të ndërtuar një kullë Trump në Moskë.

Vitin e kaluar, Cohen u tha ligjvënësve se përpjekjet e tij në emër të zotit Trump për të marrë miratimin e Rusisë për një ndërtesë shumëkatëshe në

Moskë përfunduan në janar të vitit 2016, pikërisht në kohën kur fushata po intensifikohej. Në fakt, përpjekjet për këtë projekt kishin vazhduar deri në qershor të vitit 2016, pak para se zoti Trump të siguronte emërimin e partisë republikane si kandidat për president. Në dokument, prokurorët e zotit Mueller shkruanin se Cohen, i cili dikur tha se ishte gati të "merrte një plumb" për zotin Trump por më pas u kthye kundër ish shefit të tij, ka ofruar "informacion rreth kontakteve të tij me interesat ruse gjatë fushatës dhe diskutimeve me të tjerët gjatë përpjekjeve për realizimin e këtyre kontakteve."

Cohen, i cili sugjeroi mundësinë e një takimi në Nju Jork mes Presidetit rus Vladimir Putin dhe zotit Trump gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator të vitit 2016, u ka thënë prokurorëve se ai ishte këshilluar me zotin Trump rreth idesë para se të përpiqej të mësonte nëse Rusia do të kishte interesim për një takim të tillë, thuhet në memorandumin e prokurorit të posaçëm.

Takimi nuk u zhvillua për arsye që prokurorët nuk i zbuluan.

Megjithatë përpjekjet ruse për organizimin e një takimi të tillë vazhduan. Në nëntor të vitit 2016, Cohen foli me një rus që ofroi "sinergji politike" për fushatën dhe "propozoi në mënyrë të përsëritur një takim midis Presidentit Putin dhe zotit Trump.

"Personi i tha zotit Cohen se një takim i tillë mund të ketë një ndikim "fenomenal" jo vetëm në aspektin politik, por në një dimension biznesi ... sepse nuk ka ndonjë garanci më të madhe në asnjë projekt sesa pëlqimi i [Presidentit të Rusisë]" sipas memorandumit.

Zoti Cohen nuk e kishte pranuar ftesën, sipas dokumenteve të dorëzuara në gjykatë, duke u shpjeguar prokurorëve se "ai ishte duke punuar në Projektin e Moskës me një individ tjetër, i cili Cohen mendonte se kishte lidhje me qeverinë ruse".

Individi i paidentifikuar besohet të jetë Felix Sater, një investues në pasuritë e patundshme i lindur në Rusi, i cili ka punuar si këshilltar i Organizatës Trump.

Interesi i zotit Trump për të bërë biznes me Rusinë kishte filluar disa dekada më parë. Në vitin 2013, ai dërgoi konkursin e bukurisë Miss Universe në Moskë. Gjatë gjithë fushatës së vitit 2016, Trump vazhdimisht i bënte komplimente Presidentit Putin. Por, marrëdhëniet mes tyre u ftohën pas zgjedhjeve presidenciale.

Dokumentet e fundit të dorëzuara në gjykatë erdhën në fund të një jave vorbullash në hetimin e Rusisë në të cilën u publikuan dokumente të ngjashme në rastet penale që përfshijnë zotin Manafort dhe ish këshilltarin e sigurisë kombëtare të Presitendit Trump, gjeneralin Michael Flynn. Zoti Flynn pranoi fajësinë se ka gënjyer FBI-në duke mohuar se kishte biseduar me ambasadorin rus në SHBA menjëherë pas zgjedhjeve dhe para se Presidenti Trump të merrte detyrën, në një kohë që Rusia po përpiqej të dilte nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

Dokumentet e dënimit të zotit Cohen përfaqësojnë herën e parë që prokurori i posaçëm ka pohuar një diskutim mes Presidentit Trump dhe avokatit të tij për një takim me Putinin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016. Dokumenti sugjeron se Trump mbeti i fokusuar në interesat e tij të biznesit edhe gjatë fushatës së tij presidenciale.

"Nëse projekti do të kishte përfunduar, kompania mund të kishte marrë qindra miliona dollarë nga burimet ruse në tarifat e licencimit dhe të ardhura të tjera," thuhet në memorandumin e dënimit të zotit Cohen.

Bashkëpunëtorë të tjerë të zotit Trump, të akuzuar për bashkëveprim me Rusinë gjatë dhe pas fushatës së vitit 2016 përfshinë ish-prokurorin e përgjithshëm Jeff Sessions, i cili u takua me ish-ambasadorin rus Sergey Kislyak gjatë fushatës dhe ish këshilltarin e tij të fushatës për politik të jashtme, George Papadopoulos, i cili u përpoq të organizonte një takim mes zotit Trump dhe zotit Putin gjatë fushatës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG