Lidhje

USAID fond për përmirësimin e treguesve të OSHEE në Shkodër


Në Shqipëri, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë elektrike OSHEE do të zbatojë një program të veçantë për përmirësimin e aktivitetit të vet në Rajonin e Shkodrës përmes ndihmës teknike që do të ofrohet nga kompania amerikane “Tetra Tech” për një periudhë 1 vjeçare. Programi financohet nga Agjencia amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, USAID, me të cilën sot OSHEE nënshkroi dhe marrëveshjen për këtë qëllim.

OSHEE zgjodhi të zbatojë këtë program në rajonin ku përfshihen Shkodra, Kopliku, Puka dhe Lezha, duke qenë se ato vijojnë të mbeten problematikë sa i përket treguesve. Ndërsa në nivel kombëtar mesatarja e humbjeve është në nivelin e 24 përqind, në këtë rajon ajo është në nivelin 40 përqind, ndonëse krahasuar me 5 vjet më parë, ato ishin 61.8 përqind.

“Për 12-15 muajt e ardhshëm, USAID do t’i japë asistencë teknike OSHEE në fusha si: leximi dhe faturimi, mbrojtjen dhe kontrollin e të ardhurave, planifikim dhe operim, si edhe strukturat e përmirësuara të menaxhimit dhe proceseve. Këto janë përfitime për qeverinë shqiptare që do të arrihen përmes nismave të menaxhimit dhe do ta vendosë OSHEE-në në rrugën e saj për stabilitet tregtar afatgjatë”, deklaroi përfaqësuesja e USAID për Shqipërinë Mikaela Meredith.

Nga ana e tij, administratori i OSHEE z. Adrian Çela, u shpreh se “marrëveshja me USAID në thelb synon forcimin menaxherial dhe përmirësimin e mëtejshëm të treguesve për rajonin Shkodër. Ne besojmë se ky bashkëpunim do të jetë frytdhënës, bazat e të cilit, pas Shkodrës do të shtrihen edhe në rajonet e tjera”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG