Lidhje

Ndahet nga jeta Paddy Ashdown


Paddy Ashdown, një ish-marins dhe politikan opozitar britanik i cili shërbeu si i dërguari i posaçëm ndërkombëtar në Bosnje pas Luftës në ish-Jugosllavi, vdiq të shtunën. Ai ishte 77 vjeç.

Ashdown u largua nga posti i tij në Bosnjë në vitin 2006 pas gati katër vjetësh në atë post, por kishte qenë në krye të përpjekjeve të paqes në Ballkan shumë kohë para se të fillonte këtë detyrë.

Ashdown shpejt krijoi një reputacion si një zbatues praktik i masave të ashpra për të ndihmuar vendin të shërohet nga lufta e tij në vitet 1992-1995.

Gjatë mandatit të tij, Ashdown shkarkoi zyrtarë të korruptuar dhe Bosnja përfundoi disa reforma të dhimbshme që synonin forcimin e institucioneve qendrore në kurriz të dy entiteteve të pasluftës - Republika Srpska e serbëve dhe Federata Muslimano-Kroate.

Ato përfshijnë kryesisht reforma të mbrojtjes që synonin bashkimin e dy ushtrive etnike të ndara në një, si dhe forcat policore, doganat dhe reformat tatimore.

Për shërbimin e tij ndaj vendit dhe në botë, Jeremy John Durham Ashdown, u nderua nën emrin e tij të vërtetë Jeremy në vitin 2000 dhe u bë anëtar i dhomës së lartë të parlamentit.

I martuar, me dy fëmijë, Ashdown jetonte në Yeovil, në jugperëndim të Anglisë.

Kosova kujton lordin Ashdown

Udhëheqësit e Kosovës e kujtuan sot atë si një nga mbështetësit e fuqishëm të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë dhe njeriun që kishte dëshmuar kundër ish presidentit serb Slobodan Millosheviç, derisa mbahej procesi gjyqësor kundër tij për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke ngushëlluar familjen Ashdown u shpreh i "pikëlluar për vdekjen e mikut të Kosovës, diplomatit britanik, Paddy Ashdown. Ai ishte zëri më i fuqishëm i intervenimit të NATO-s për të parandaluar spastrimin etnik në Kosovë. Ashdown ishte, po ashtu, një mbështetës i flaktë i pavarësisë së Kosovës".

Kryeministri Ramush Haradinaj, po ashtu e quajti pikëllues lajmin "për vdekjen e mikut të Kosovës, Paddy Ashdown, i cili për një dekadë udhëhoqi partinë Liberale Demokratike në Britani dhe kishte shërbyer si emisar i Qeverisë britanike gjatë luftës në Kosovë. Ashdown ishte një nga përkrahësit më të mëdhenj të intervenimit ushtarak të NATO-s në Kosovë dhe dëshmitar në Tribunalin e Hagës, kundër Millosheviqit. Ngushëllime të thella për familjen dhe miqtë e liberalit të madh, Ashdoën!"

Lordi Ashdown, ishte kundër ideve që gjatë verës u hodhën nga presidenti i Koosvës Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç për një marrëveshje që do të mund të prekte edhe kufijtë e Kosovës.

Më 29 gusht ai dhe dy ish përfaqësuesit e lartë në Bosnjë, Carl Bildt, Christian Shëarz Schilling, shfaqën "shqetësimin e thellë" mbi paralajmërimet se zyrtarë te Bashkimit Evropian mund të jenë të gatshëm të mbështesin një marrëveshje ndërmjet presidentëve Thaçi e Vuçiç që përfshinë shkëmbimin e territoreve nëpërmjet "korrigjimit të kufirit".

Në një letër drejtuar shefes së politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ata shfaqën drojën se lëvizja e kufijve "nuk do të zgjidhë ndarjet, por do t'i thellojë ato" dhe i bënë thirrje asaj t'i hedhë poshtë idetë e tilla.

"Ne e njohim Bashkimin Evropian dhe Evropën mjaftueshëm për të ditur se historia e përgjakshme na ka mësuar që paqja e qëndrueshme mund të vendoset vetëm kur mësohemi të jetojmë në vende shumetnike në vend se të ri-vizatojmë kufijtë për të krijuar shtete njëetnike. Shkurt, nuk mund të mendohet ndonjë politikë tjetër që ka më shumë gjasa të na çojë në ndarje dhe konflikt në Ballkan sesa ajo që disa tani duket se po mbështesin", thuhej mes tjerash në letër në të cilën shfaqeshin dyshimet se "kjo rrezikon marrëveshjet si në Maqedoni, dëmton unitetin e shteteve si Bosnja, duke inkurajuar ata që dëshirojnë të shohin shkëmbimin e territoreve diku tjetër, siç është Ukraina dhe ka gjasa të çojë në eksodin e pakicave nga komunitetet e tyre ekzistuese".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG